Moti i keq në vend, trafik i rënduar në aksin Elbasan–Librazhd

Trafiku në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd dhe në drejtim të kundërt ka qenë i rënduar gjatë gjithë ditës së sotme, duke shkaktuar ngadalësime të ndjeshme dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara herë pas here me mjegull të dendur, kanë ulur dukshëm shikueshmërinë, duke e bërë lëvizjen e mjeteve më të vështirë. Situata është rënduar edhe më tej nga punimet në disa segmente të këtij aksi të rëndësishëm, të cilat kanë shtuar ngarkesën dhe vonesat në qarkullim, raporton gazetarja e Syri TV për qakun Elbasan.

Policia Rrugore u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën provizore në zonat ku po kryhen punime dhe të ruajnë durimin gjatë lëvizjes. Autoritetet theksojnë se ky aks është ndër më të frekuentuarit e qarkut, ndaj kushtet me reshje kërkojnë vëmendje maksimale.

Gjatë orëve të pasdites, prania e patrullave është shtuar me qëllim menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve. Policia apelon që drejtuesit të ulin shpejtësinë, të shmangin manovrat e rrezikshme dhe të jenë të pajisur me mjetet e nevojshme për mot të keq.

Autoritetet bëjnë të ditur se situata do të vijojë të monitorohet, ndërsa kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve për të garantuar qarkullim sa më të sigurt përgjatë këtij aksi kombëtar.