Agim Ademi reagon pas kualifikimit historik: Mos lejoni shpifjet të errësojnë suksesin e Kosovës, jemi komb i madh!
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dalë me një reagim të fortë pas ndeshjes kundër Zvicrës dhe kualifikimit historik të Kosovës në fazën ’Play-Off’ të Botërorit. Në një mesazh të gjatë drejtuar tifozëve dhe gjithë qytetarëve, ai vlerësoi paraqitjen heroike të futbollistëve dardanë dhe u shpreh i zhgënjyer nga mënyra se si disa media dhe analistë tentuan të minimizojnë këtë arritje duke u marrë me shpifje, dezinformata dhe çështje të parëndësishme. Ademi theksoi se suksesi i Kosovës nuk mund të errësohet nga propaganda dhe se Kombëtarja është në mesin e ekipeve që luftojnë për një biletë drejt Botërorit, pavarësisht dëshirave të kritikëve.
“Të nderuar dashamirës të futbollit, tifozë dhe qytetarë të Kosovës,
Mbrëmë ishim dëshmitarë të një paraqitjeje tjetër heroike dhe me shpirt të madh nga futbollistët tanë dardanë. Një lojë e shkëlqyer që solli një tjetër rezultat pozitiv në rrugëtimin tonë drejt ëndrrës së madhe.
Pavarësisht se nuk arritëm fitoren kundër Zvicrës (1:1), ne jemi kualifikuar për herë të parë në ‘Play-Off’, dhe kjo pa dyshim është një arritje historike e Kombëtares së Kosovës në vetëm 9 vjet të anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, për çka u gëzuam e festuam të gjithë së bashku.
Është për të ardhur keq që nga disa televizione, portale dhe analistë që kanë pak ose aspak lidhje me futbollin, suksesi dhe arritja historike e Kosovës u lanë në hije. Për fat të keq, vëmendja u zhvendos te çështje që s’kanë lidhje me futbollin dhe te të pavërteta, duke lënë mënjanë paraqitjen e shkëlqyer të Kombëtares.
Mbizotëroi propaganda dhe urrejtja e atyre që nuk e duan ose u dhemb suksesi i Kosovës, duke u marrë me pesimizëm e negativitet dhe duke anashkaluar thelbin: futbollin dhe arritjet tona kulmore.
U krijuan narrativa të pavërteta se ndeshja nuk do të zhvillohej, se gjendja e fushës ishte e keqe, por ndeshja e mbrëmshme vërtetoi të kundërtën: fusha u ndërtua sipas standardeve më të larta dhe e përballoi me sukses shiun e pandërprerë të dy ditëve.
Mos mendoni se kritikat e njerëzve që s’kanë lidhje me futbollin dhe që nuk ia duan të mirën sportit tonë kanë peshë. Përkundrazi, raste të tilla vetëm sa e zbulojnë nivelin e ulët dhe keqdashjen e atyre që përpiqen të errësojnë sukseset tona.
Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithëve: Kthehuni tek realiteti! Mos përhapni shpifje, defetizëm dhe urrejtje mes popullit dhe mes shteteve tona mike. Këta djem, gladiatorët e Dardanisë, janë krenaria dhe e ardhmja e Kosovës!
Kosova, miq e armiq, është në ‘Play-Off’! Realiteti po ndodh dhe ne jemi në mesin e ekipeve që kërkojnë një biletë për në Kampionatin Botëror, deshët apo s’deshët ju.
Për dikë jemi shtet i vogël, por në të vërtetë jemi komb i madh. Së bashku me bashkatdhetarët tanë kudo që jetojnë e veprojnë, ne vazhdojmë ta bëjmë vendin tonë krenar.
Gjithmonë kemi theksuar se individët si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë asete kombëtare dhe ambasadorët më të mirë të popullit tonë, ashtu si Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e shumë të tjerë. Graniti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij. Ai, kudo që të jetë, mbetet djali i Ragip Xhakës — një familje atdhetare nga Prishtina — dhe ne jemi gëzuar gjithmonë për sukseset dhe karrierën e tij të bujshme.
Disa po harrojnë një të vërtetë të madhe: Shumë prej rilindasve tanë kanë jetuar e vepruar në vende të ndryshme, por kanë kontribuar për kombin në forma të shumta. Nga Jeronim De Rada, Pashko Vasa, Isa Boletini, Sami e Naim Frashëri e deri te patriotë të tjerë që jetuan jashtë vendit, por punuan për të ardhmen e shqiptarëve. Ashtu si ata kontribuuan nga diaspora, edhe sportistët tanë e bëjnë sot këtë me punë, sakrificë dhe dinjitet.
Ne i gjykojmë fishkëllimat që ndodhën, edhe pse ato nuk erdhën nga e gjithë masa e tifozëve dhe as nga grupi ‘Dardanët’. Gjëra negative të tilla, ndonëse të pashmangshme në stadiume, kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme — dhe ne i dënojmë ashtu si dënojmë deklaratat e atyre që hedhin vrer edhe kur Kosova shënon rezultate kulmore.
Në fund, shpreh një falënderim të veçantë për publikun e mrekullueshëm, i cili pavarësisht propagandës për moszhvillimin e ndeshjes dhe pavarësisht rrebeshit të shiut, erdhi në stadium dhe nuk u ndal asnjë moment së përkrahuri djemtë tanë. Ju jeni zemra e suksesit tonë!
Vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi drejt ëndrrës sonë.
Forca Kosova!”