Dhunoi për vdekje 58-vjeçarin grek, prokuroria nis hetim për vrasje me dashje ndaj të riut shqiptar
Prokuroria e Athinës ka ngritur hetimet dhe padi penale për veprën e rëndë të vrasjes me dashje në gjendje të qetë psikike ndaj 29-vjeçarit shqiptar, i cili u arrestua për vrasjen e shoferit 58-vjeçar në zonën e Neos Kosmos pak ditë më parë.
Pas ngritjes së akuzës, i pandehuri pritet t’i dërgohet hetuesit të rregullt, ku pritet të kërkojë afat për të përgatitur dëshminë e tij.
Duhet theksuar se 29-vjeçari është arrestuar tre herë në të kaluarën, por sipas burimeve të prokurorisë, ato arrestime lidhen me kundërvajtje të nivelit të lehtë, për të cilat nuk parashikohet masa e paraburgimit.
Dëshmia e një dëshmitari “kyç”
Protothema shkruan se një dëshmitar i rëndësishëm ka përshkruar para policisë mënyrën se si nisi ndjekja mes autorit dhe viktimës. Sipas dëshmisë së tij, ngjarja nisi në rrugën Frantzi, ku dy drejtuesit u konfliktuan verbalisht.
Sipas tij, 29-vjeçari e goditi me grusht 58-vjeçarin dhe situata u duk se u qetësua për një moment.
Megjithatë, shoferi 58-vjeçar e ndoqi të riun deri në një palestër pranë shtëpisë së tij, ku 29-vjeçari ishte drejtuar me motor. Aty ai i zuri pritë me synimin për t’i kërkuar llogari dhe sapo e pa motoristin e ri të hipte në motor, e thirri dhe e spërkati me spraj piper.
“Më pas 58-vjeçari shtoi shpejtësinë dhe u drejtua drejt bulevardit “Makhis Analatou”, ndërsa 29-vjeçari e ndiqte nga afër. Pak minuta më vonë, autori e bllokoi viktimën në fundin e një rruge pa dalje, në rrugën Soulier, ku e goditi deri në vdekje”, tregoi ai.
Ndërkohë, një tjetër dëshmitarit okular, i cili doli nga palestra dhe pa konfliktin, ka folur mbi dinamikën e ngjarjes.
“Ai erdhi këtu rreth orës 16:15 dhe i tha dikujt në palestër se rreth gjysmë ore më parë pati një konflikt pranë Frantzit me një drejtues makine. Më tha ‘u ngatërrova në rrugë, dikush më bllokoi me motor’. I thashë “ngadalë se do më vrasësh” dhe ai m’u përgjigj “ik mor m…”, tha ai.
“Erdhi këtu, qëndroi rreth një çerek ore, bëri shaka me disa persona në palestër dhe pasi u qetësua u nis të largohej. Doli jashtë dhe hipi në motor. Tjetri kishte parkuar pranë pemës dhe po e priste. Sapo e pa, u dëgjua zhurma e rrotave dhe erdhi me makinë pranë tij duke e spërkatur”, tha ai.
Sipas dëshmitarëve, shqiptari e kishte helmetën e ulur, kështu që spraji nuk e kapi shumë. Ata thone se shoferi nuk zbriti nga makina, vetëm i tha “eja t’ju them diçka”, dhe iu afrua te xhami dhe e spërkati.
“Dëgjova zhurmën, dola jashtë dhe e pyeta “çfarë ndodhi?”. “Më spërkati me spraj”, më tha, dhe pastaj nisi ta ndjekë me motor”, tregoi ai në polici.