Nis seanca e jashtëzakonshme, LVV tenton formimin e Qeverisë me Konjufcën

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme, e planifikuar për formimin e Qeverisë së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka propozuar Glauk Konjufcën si mandatar të dytë për formimin e qeverisë.

Më herët, LVV ka tentuar ta formojë Qeverinë me mandatarin Albin Kurti, por që nuk kishte arritur shumicën në Kuvend.

Për miratimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 vota nga Kuvendi. Deri tani nuk është arritur ndonjë koalicion mes LVV-së dhe subjekteve të tjera, ndërsa mbetet të shihet nëse kjo parti ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për mandatarin Glauk Konjufca.

Glauk Konjufca është figura e dytë nga Lëvizja Vetëvendosje – pas Albin Kurtit – që provon të formojë Qeverinë. Disa parti, që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, kanë thënë se s’kanë votë për të dhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Edhe seanca e parë paradite u thirr nga Lëvizja Vetëvendosje për miratim të katër projektligjeve të rëndësishme për vendin - përfshirë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare - por vota të mjaftueshme nuk pati.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha i mbylli diskutimet, por e la të hapur seancën, duke iu kërkuar deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, që të reflektojnë edhe të votojnë më vonë për to.

Partitë ish-opozitare i bojkotuan diskutimet e seancës së parë, dhe e fajësuan LVV-në për humbjen potenciale të miliona eurove nga fondet e huaja.

Kosova është me Qeveri në detyrë, në mungesë të një ekzekutivi të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.