‘Të krishterët po persekutohen në Nigeri/ Nicki Minaj mbështet pretendimin e Trump: Po shënjestrohen!
Fituese e shumë çmimeve, reperja Nicki Minaj, ka mbështetur publikisht akuzat e Presidentit Donald Trump se të krishterët përballen me persekutim në Nigeri.
"Në Nigeri, të krishterët po bëhen shënjestër", tha Minaj të martën në një aktivitet të organizuar nga SHBA-të, duke shtuar: "Kishat janë djegur, familjet janë shkatërruar... thjesht për shkak të mënyrës se si luten".
Analistët thonë se xhihadistët dhe grupet e tjera të armatosura kanë zhvilluar fushata dhune që prekin të gjitha komunitetet në kombin e Afrikës Perëndimore, pavarësisht nga prejardhja apo besimi.
Vetëm këtë javë, dy persona u vranë në një sulm ndaj një kishe, ndërsa një grup prej 25 vajzash, për të cilat BBC-së i është thënë se janë myslimane, u rrëmbyen nga një shkollë.
Dy nga vajzat më vonë arritën të shpëtonin nga rrëmbyesit e tyre. Një mësues dhe një roje sigurie - të dy myslimanë - u vranë gjithashtu në sulmin ndaj shkollës së mesme në shtetin veriperëndimor Kebbi.
Më herët këtë muaj, Trump tha se do të dërgonte trupa “të armatosura me zjarr” në Nigeri, nëse qeveria e saj “vazhdon të lejojë vrasjen e të krishterëve”.
Minaj, emri i vërtetë i së cilës është Onika Tanya Maraj-Petty, tha në një aktivitet të organizuar nga ambasada amerikane në OKB në Nju Jork se thirrja për mbrojtjen e të krishterëve në Nigeri, "nuk kishte të bënte me marrjen e anëve apo ndarjen e njerëzve... por me bashkimin e njerëzimit".
"Kjo ka të bëjë me ngritjen përballë padrejtësisë. Ka të bëjë me atë për të cilën unë gjithmonë kam qëndruar", shtoi ajo.
Reperja 42-vjeçare, e cila më parë ka folur për besimin e saj të krishterë, falënderoi Trumpin për "prioritizimin e kësaj çështjeje dhe për lidershipin e tij".
Qeveria nigeriane i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i përshkruar ato si "një keqinterpretim të rëndë të realitetit".
Një zyrtar tha se "terroristët sulmojnë të gjithë ata që e hedhin poshtë ideologjinë e tyre vrasëse - myslimanët, të krishterët dhe ata pa besim njësoj".
Grupe të tjera që monitorojnë dhunën politike në Nigeri, thonë se shumica e viktimave të grupeve xhihadiste janë myslimanë.
220 milionë banorët e vendit janë të ndarë afërsisht në mënyrë të barabartë midis ndjekësve të dy feve, me myslimanët në shumicë në veri, ku ndodhin shumica e sulmeve.
Të mërkurën, policia nigeriane në shtetin jugperëndimor Kwara konfirmoi një sulm vdekjeprurës në një kishë në qytetin Eruku, ku persona të armatosur hapën zjarr ndaj besimtarëve një ditë më parë, duke vrarë dy persona dhe duke rrëmbyer disa të tjerë.
Mediat lokale thonë se burra të armatosur, të identifikuar nga banorët si banditë, sulmuan Kishën Apostolike të Krishtit gjatë një programi mbrëmjeje të martën në mbrëmje, duke qëlluar pastorin dhe duke rrethuar besimtarët nën kërcënimin e armëve.
Imazhe dhe video të shkurtra - që besohet të jenë nga kamerat CCTV të kishës - kanë qarkulluar gjerësisht në internet, duke treguar njerëz të tmerruar që përpiqen të gjejnë siguri, përfshirë një grua të moshuar që shihet duke u përpjekur me dëshpërim t'i shpëtojë personave të armatosur.
Të martën, Presidenti Bola Tinubu konfirmoi se forcat xhihadiste kishin vrarë një oficer të lartë të ushtrisë, pasi ai ishte kapur në një pritë.
Shteti Islamik, Provinca e Afrikës Perëndimore (Iswap), tha të hënën se luftëtarët e tij kishin vrarë gjeneral brigade Musa Uba në shtetin verilindor të Bornos.
Ushtria nigeriane kishte mohuar më parë se oficeri ishte rrëmbyer dhe vrarë.
Sulmet e fundit kanë shkaktuar frustrim dhe zemërim në të gjithë Nigerinë, me shumë njerëz që ankohen për atë që e shohin si një valë të pafundme pasigurie që prek komunitetet rurale, kishat, shkollat dhe rrugët kryesore të transportit.
Në një deklaratë të mërkurën, Presidenti Tinubu tha se ishte "plotësisht i informuar për rritjen e fundit të ekstremizmit të dhunshëm" në të gjithë vendin, duke shtuar se kjo rritje e kishte lënë atë "të dëshpëruar".
Ai u dha udhëzime agjencive të sigurisë që të reagonin me "urgjencë, qartësi dhe veprime vendimtare" ndaj asaj që ai e përshkroi si sulme nga "terroristët e pashpirt".
Minaj e përshkroi Nigerinë si "një komb të bukur me tradita të thella besimi" dhe madje njohu "Barbz-at e bukura" - fansat e saj - në vendin e Afrikës Perëndimore.
Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, e falënderoi reperen për "shfrytëzimin e platformës së saj masive për të nxjerrë në pah mizoritë kundër të krishterëve në Nigeri".
Për muaj të tërë, aktivistë të krahut të djathtë dhe politikanë në Uashington kanë pretenduar se militantët islamikë po i shënjestrojnë sistematikisht të krishterët në Nigeri.
Analistët thonë se mosmarrëveshjet vdekjeprurëse, shpesh janë gjithashtu për burime jetësore si toka dhe uji ose të nxitura nga tensionet ndëretnike, në vend të fesë.
Vitin e kaluar, Minaj zbuloi publikisht se pavarësisht se u zhvendos nga vendlindja e saj, Trinidad, në New York në një moshë të re, ajo ende nuk ka shtetësi amerikane.
Paraqitja e saj në OKB të martën, është ndërhyrja e saj politike me profilin më të lartë deri më sot.
Ajo bëri bujë gjatë pandemisë për ndarjen e dezinformatave, në lidhje me efektet anësore të vaksinës kundër Covid-it - duke pretenduar se kur një mik i kushëririt të saj bëri vaksinën, kjo i shkaktoi ënjtje të testikujve dhe impotent.
"Shoku i tij ishte javë larg martesës, tani vajza e anuloi dasmën," shkroi Minaj në internet.
Komentet e saj u kritikuan nga zyrtari kryesor mjekësor i Mbretërisë së Bashkuar në atë kohë , dhe kryeministri i atëhershëm Boris Johnson gjithashtu komentoi, duke bërë shaka: "Nuk jam aq i njohur me veprat e Nicki Minaj sa ndoshta duhet të jem".
Në muajt e fundit, grindja e saj disavjeçare me reperen tjetër nga New Yorku, Cardi B, u përshkallëzua deri në shkëmbimin e fyerjeve për karrierën dhe anëtarët e familjes së njëra-tjetrës./ BBC.