Deti në Sarandë ndryshon ngjyrë nga prurjet e Bistricës dhe Kalasës pas reshjeve intensive

Reshjet intensive të shiut gjatë dy ditëve të fundit kanë sjellë rritje të konsiderueshme të prurjeve në dy lumenjtë kryesorë të jugut, Bistrica dhe Kalasa. Sasia e madhe e ujit që ka zbarkuar në det ka shkaktuar një ndryshim të dukshëm të ngjyrës së ujit bregdetar, i cili sot ka marrë një pamje të turbullt dhe të errët.

Pamjet e siguruara nga Syri TV tregojnë qartë zonat ku uji i pastër i detit përzihet me prurjet e baltës dhe inerteve të lumenjve, duke krijuar kontrast të fortë në sipërfaqe.

Sipas ekspertëve, ky është një fenomen i zakonshëm pas reshjeve të mëdha, por intensiteti i prurjeve këtë herë ka qenë më i lartë se normalisht.

Ndryshimi i ngjyrës pritet të stabilizohet në ditët në vijim, sapo të ulen prurjet dhe të qetësohet moti.

Ndërkohë, autoritetet monitorojnë situatën, pasi shirat e dendur mund të ndikojnë edhe në zonat bregdetare, veçanërisht në segmente ku lumenjtë derdhen në det.