SYRI TV/ Shemben ndërtesat në Bashkinë Librazhd, banorët: Këtu nuk ka drejtësi, ka shpopullim
SYRI TV
16 objekte në hyrje-dalje të Bashkisë së Librazhdit do të shemben për t’i hapur rrugë projektit të autostradës që kalon në zonë. Banorët e zonës shprehen se nuk janë lajmëruar për shembjet ndërsa thonë se dëmshpërblimet përveçse janë qesharake, nuk i kanë marrë të plota.
Luçiano Skura një prej biznesmenëve dhe banorëve të prekur është lajmëruar vetëm dy ditë më parë se biznesi i tij do të prishet e do të duhet të largohen menjëherë. Ai shprehet se ende nuk e ka marrë dëmshpërblimin e plotë e ndërsa për pjesën e mbetur do t’i duhet t’i drejtohen dyerve të gjykatës.
Për të kjo situatë është e pa pranueshme dhe e vështirë, pasi kjo është e gjithë pasuria e jetës.
Për projektin e kësaj autostrade shpesh herë janë organizuar protesta dhe nga banorët e fshatit Hotolisht, të cilët kanë kërkuar disa herë rishikim të projektit por zëri i tyre ra në vesh të shurdhër.