Kurti: Qëndrimet e subjekteve nuk kanë alibi, të kthehen në Kuvend – humbin pakthyeshëm mbi 200 milionë euro

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë thirrje partive që po bojkotojnë seancën e sotme, që të kthehen në Kuvend e të votojnë për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e buxhetit.

Kurti tha se qëndrimet e subjekteve nuk kanë alibi, shkruan Reporteri.net.

“Qëndrimet e subjekteve përbesë nuk kanë alibi. Nëse ne jemi vonuar, pse nuk janë këtu për të na e lënë fajin…Këtu është vendi për të folur e votuar”, tha Kurti.

Ai tha se nëse nuk ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare, humbin pakthyeshëm mbi 200 milionë euro.

“Për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, ju e dini se nuk mjaftojmë veç ne edhe po ta kishim qeverinë….Ata nuk kanë asnjë vërejtje për këto marrëveshje ndërkombëtare.Cili është kuptimi të bojkotosh”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se vetëm me votimin e pikave të sotme të rendit të ditës, mund të ecet përpara.

“Unë i bëj thirrje të gjitha partive që të jenë në Kuvend dhe të votojmë tri marrëveshjet me BB, Planin e Rritjes, buxhetin për tri komunat Prishtinë, Gjilan, Zubin Potok, buxhetin për vitin 2026 dhe në këtë mënyrë të ecim bashkë përpara. Kjo seancë nuk është thjeshtë një zgjedhje, por domosdoshmëri”, tha Kurti.