Kukësi në dimër pa ngrohje: 14 shkolla ende pa dru, prefekti kërkon ndërhyrje urgjente
Prefekti i Qarkut Kukës, Dritan Baji, gjatë mbledhjes së Komisionit Rajonal të Mbrojtjes Civile, kërkoi nga Bashkia Kukës nisjen e menjëhershme të furnizimit me lëndë drusore për ngrohje në shkollat e zonave të thella malore.
Ai theksoi se, pavarësisht kushteve të ashpra të dimrit në Kukës, 14 nga 69 shkolla vazhdojnë të jenë ende pa dru zjarri, ndërkohë që moti është përkeqësuar dhe në disa zona priten reshje dëbore.
Ndërkohë, reshjet e shiut të dy ditëve të fundit kanë krijuar probleme në disa rrugë rurale të Bashkisë Kukës. Drejtori i Emergjencave Civile, Lavdrim Demnushi, konfirmoi se ka pasur bllokime dhe dëmtime në infrastrukturën rrugore, si edhe rrëshqitje të dherave dhe inertëve në disa segmente.
Në terren janë angazhuar mjete të rënda për pastrimin dhe rikthimin në funksion të rrugëve, ndërsa kompanitë kontraktore të mirëmbajtjes po monitorojnë dhe ndërhyjnë në problematikat emergjente për të garantuar lëvizshmëri dhe siguri për banorët.
Në përmbyllje të mbledhjes, prefekti Baji përsëriti apelin për veprim të shpejtë, duke theksuar se çdo vonesë në furnizimin me lëndë drusore ndikon drejtpërdrejt në vijimin normal të procesit mësimor dhe në sigurinë e fëmijëve në shkollat e zonave malore të Kukësit.