Media greke: Bullgaria ngre një komision hetimor për George Sorosin
Komisioni i Parlamentit Bullgar i quajtur "Komisioni Ad-hoc për të hetuar aktivitetet e George dhe Alexander Sorosit dhe fondacioneve të tyre në territorin e Bullgarisë" pritet të nisë punën së shpejti.
Figura me ndikim në Bullgari, Delian Peevski, ka kërkuar prej kohësh një komision parlamentar që të hetojë aktivitetet e miliarderit amerikan George Soros dhe Open Society Foundations (OSF) në vend. Edhe pse më parë nuk kishte shumicë të mjaftueshme, javën e kaluar kjo shumicë më në fund u sigurua.
Komisioni i ri do të hetojë se cilët individë dhe organizata janë mbështetur nga Sorosi dhe djali i tij, si dhe kush ka marrë fonde nga OSF-ja. Aktualisht nuk parashikohen pasoja ligjore për personat apo entet që rezultojnë të lidhur me Sorosin. Megjithatë, parlamenti bullgar mund të miratojë masa të ngjashme me ligjin rus të vitit 2012 për "agjentët e huaj". Një përpjekje e tillë u bë edhe në shkurt 2025, por atëherë nuk pati vota të mjaftueshme.
Edhe në Hungari, nën drejtimin e Viktor Orbán-it, është zhvilluar një hetim i ngjashëm për aktivitetet e dyshuara të financuara nga Sorosi.
George Soros akuzohet nga kritikët se po promovon "zëvendësimin e popullsisë" në Europë përmes nxitjes së emigracionit të paligjshëm. / Protothema - Syri.net