Kupa e Botës 2026/ Të gjitha skuadrat e kualifikuara dhe ato që luajnë në playoff
Gati për ngjarjen më të madhe sportive në botë? Numërimi mbrapsht për Kupën e Botës 2026 ka nisur. 48 skuadra do të marrin pjesë në edicionin më të madh të turneut, verën e ardhshme, që do të zhvillohet në Meksikë, SHBA dhe Kanada, nga 11 qershor deri më 19 korrik 2026. Turneu do të kulmojë me finalen më 19 korrik në ‘MetLife Stadium’, në East Rutherford, Nju-Xhersi.
Çfarë dimë deri tani:
- 48 skuadra do të marrin pjesë në Kupën e Botës;
- 42 nga 48 skuadrat janë kualifikuar drejtpërdrejt; katër do të vijnë nga playoff-et e Europës (UEFA) dhe dy nga playoffet ndërkontinentale në mars 2026;
- Tri bashkorganizatore, Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara, janë të kualifikuara, së bashku me Panamanë, Curaçaon dhe Haitin nga CONCACAF-i;
- Nga Europa (UEFA) janë kualifikuar: Austria, Belgjika, Kroacia, Anglia, Franca, Gjermania, Norvegjia, Holanda, Spanja, Skocia, Zvicra dhe Portugalia;
- Nga Amerika e Jugut (CONMEBOL) janë tashmë në Botëror: Argjentina, Brazili, Kolumbia, Ekuadori, Paraguaji dhe Uruguai;
- Nga Azia (AFC): Australia, Irani, Japonia, Jordania, Arabia Saudite, Koreja e Jugut, Uzbekistani dhe Katari;
- Nga Afrika (CAF): Algjeria, Kepi i Gjelbër, Egjipti, Ghana, Bregu i Fildishtë, Maroku, Senegali, Afrika e Jugut dhe Tunizia;
- Nga Oqeania (OFC) është brenda Zelanda e Re.
Playoffi ndërkontinental: si funksionon?
Gjashtë skuadra që nuk u kualifikuan drejtpërdrejt do të marrin pjesë në një mini-turne për të siguruar dy biletat e fundit për Kupën e Botës. Ai zhvillohet në mars 2026, në dy stadiume neutrale në Meksikë.
Pjesëmarrësit:
- 1 Afrikë: DR Kongo
- 1 Azi: Iraku
- 2 CONCACAF: Xhamajka, Surinami
- 1 Oqeani: Kaledonia e Re
- 1 Amerikë e Jugut: Bolivia
Gjashtë skuadrat ndahen në dy grupe me nga tri ekipe. Dy ekipet me renditjen më të lartë FIFA marrin direkt biletë për finalet e mini-turneut. Katër skuadrat e tjera luajnë mes tyre për të shkuar në finale. Dy fituesit kualifikohen për Botërorin.
Playoffi i UEFA-s: si funksionon?
Europa zhvillon playoff-in e saj për të përcaktuar katër vendet e fundit për Kupën e Botës.
12 ekipet fituese të grupeve kualifikohen direkt. Vendet e dyta të 12 grupeve bashkohen me katër ekipet më të mira të Ligës së Kombeve që nuk u renditën në vendet 1–2 në grupet kualifikuese. Këto 16 skuadra do të luajnë në mars 2026 në katër rrugë të veçanta (A, B, C dhe D).
Vazot sipas renditjes aktuale të FIFA-s:
Vazo 1: Italia, Danimarka, Turqia, Ukraina.
Vazo 2: Polonia, Uellsi, Çekia, Sllovakia.
Vazo 3: Irlanda, Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova.
Vazo 4: Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut.
Skuadrat e kualifikuara:
Skuadrat në playoff-in e Europës: