Zelensky nesër takim me Witkoff në Turqi, pala ruse nuk merr pjesë në bisedime
I dërguari special i presidentit amerikan, Steve Witkoff pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky i cili planifikon të udhëtojë për në Turqi të mërkurën në një përpjekje për të rinisur bisedimet me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.
Një burim turk i tha Reuters se Witkoff do të vizitojë gjithashtu Turqinë të mërkurën dhe do të marrë pjesë në bisedimet e planifikuara me Zelenskyn. Mësohet se asnjë përfaqësues rus nuk do të marrë pjesë në takim.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov shtoi se takimi do të zhvillohet pa pjesëmarrjen ruse. Peskov shtoi se presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për bisedime me SHBA-në dhe Turqinë mbi rezultatet e diskutimeve.
Nuk ka pasur bisedime ballë për ballë midis Kievit dhe Moskës që nga një takim në Stamboll në korrik. Të dyja palët zhvilluan disa raunde negociatash në Stamboll, të cilat lejuan shkëmbimin e mijëra të burgosurve të luftës dhe trupave të ushtarëve të rënë, por pa ndonjë përparim drejt një armëpushimi.