Polemikë pas polemike: A po e përdor Meloni kulturën italjane si mjet diversionist?

Pas akuzave ndaj Komisionit Europian për “anulimin e Krishtlindjeve”, konservatorët italianë kanë hapur një front të ri polemikash – këtë herë me Parlamentin Europian. Arsyeja: shitja e produkteve ushqimore të etiketuar “në stilin italian” në tregun ushqimor të institucionit në Bruksel.

Të martën, delegacioni i partisë Vëllezërit e Italisë njoftoi se i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes së Parlamentit, Roberta Metsola, duke protestuar përdorimin e flamurit italian dhe emrave që tingëllojnë italisht në disa shishe salce të prodhuara në Belgjikë.

“Përdorimi i papërshtatshëm i simboleve italiane në produkte që nuk vijnë nga Italia mund të përbëjë praktikë mashtruese dhe të ndiqet penalisht”, deklaroi Carlo Fidanza, kreu i delegacionit, duke iu referuar një rregulloreje të BE-së që ndalon reklamimin mashtrues.

Kontestimi erdhi pasi Ministri italian i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, publikoi në Facebook foto të salcave të ambalazhuara që mbanin flamurin italian dhe emra si “carbonara”, ndonëse produktet prodhoheshin në Belgjikë. “Kërkova verifikim të menjëhershëm”, shkroi ai.

Euronews ka konfirmuar se këto produkte janë me të vërtetë në shitje në tregun e Parlamentit. Etiketat nuk pretendojnë se salcat janë prodhim italian, por se përmbajnë përbërës të origjinës italiane, gjë që justifikon përdorimin e flamurit.

Megjithatë, debati është ndezur edhe nga fakti se versioni i “carbonara-s” në shishe përmban përbërës si krem i trashë dhe pançetë — elementë që nuk gjenden në recetën tradicionale italiane, e cila kërkon vetëm guanciale, vezë, pecorino dhe piper.

Ky është përplasja më e fundit në një seri debatesh mbi autenticitetin e ushqimit, të nxitur nga partia e Giorgia Melonit, e cila më herët ka kundërshtuar përdorimin e termave tradicionalë të mishit për produktet bimore dhe ka ndaluar prodhimin e mishit të laboratorit në Itali.

Reagime të ngjashme janë shënuar edhe më parë. Në vitin 2024, njoftimi i kompanisë amerikane Heinz për një carbonara në kanaçe shkaktoi polemika të gjera në Itali, me shefa të njohur të kuzhinës që e cilësuan produktin si “të papranueshëm” dhe “ushqim për mace”.

Ndërkohë, fakti që produktet e gatshme dhe salcat e parapërgatitura shihen zakonisht me skepticizëm në Itali ka shtuar edhe më shumë ndjeshmërinë për këtë çështje, duke e kthyer atë në një debat për identitetin kulturor dhe mbrojtjen e traditës gastronomike italiane.