'Projekti kushtoi 6.5 mln € , 12.5 mln € u zhdukën' Bylykbashi në SPAK për hetimet për Eco Park: Eshtë me keq se Tuneli i Llogarasë

Hetimet për aferën e Eco Parkut në Durrës  mesa duket kanë avancuar pasi në SPAK këtë të martë, 18 nentor, u paraqit deputeti  i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në në cilësinë e kallëzuesit për aferën e Eco Parkut.

Në dalje të Prokurorisë për gazetarët ai u shpreh  se afera e ECO Park është më keq se Tuneli i Llogarasë,teksa për shkak të sekretit hetimor u tregua i rezervuar për të dhënë detaje.

 “Është një kallëzim që është bërë në marsin e vitiit 2024. Duke filluar nga kryeministri Rama kallëzimi është publik, ne kemi bërë një konference, e kemi denoncuar si një aferë korruptive, ku është kontraktuar për 19 mln euro, diçka që më pas një kompani që është e lidhur me kompaninë e inceneratorëve, e ka bërë për 6.5 mln euro, dmth 12.5 mln euro janë vjedhur. Në raport është më keq sesa tuneli i Llogarasë. Mbi bazën e atij kallëzimi dhe sot isha në këtë cilësi. Dua të respektoj sekretin e veprimeve hetimore. Kallëzimi është i deputetëve të grupit parlamentar. Është një cështje që prek zonën zgjedhore bashkinë Durrës kam pasur interes”,-

Tenderi për ndërtimin e EKo Park u hap në tetor të vitit 2019, por u anulua për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të po atij viti. Por pak ditë pas tërmetit, Kryeministri Edi Rama firmosi një vendim, që detyronte bashkitë të dërgonin mbetjet inerte të objekteve të shembura nga tërmeti në fushën e plehrave në Durrës.

Më pas kreu i AKUM, Alqi Bllako, në zbatim të vendimit të Kryeministrit, lidhi tenderin me negocim të drejtpërdrejtë me kompanitë Viktoria Invest dhe De Mare Albania, të cilat do të paguheshin 19 milionë euro për të ndërtuar Eco Parkun.

Këto dy kompani, pasi lidhën kontratë me qeverinë, nënkontraktuan një kompani tjetër për zbatimin e projektit. Bëhet fjalë për kompaninë Artcon, e cila është e lidhur me pronarin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës, Klodian Zoto, pikërisht njeriu që kontraktoi studion e arkitekturës për ndërtimin e Eco Parkut. Projekti nga kompania e shoferit të Klodian Zotos, u zbatua për vetëm 6.5 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e parave prej 12.5 milionë eurosh nuk dihen se ku kanë shkuar.