SYRI TV/ Shifrat alarmante në raportin e KLSH - Rriten sëmundjet tumorale dhe respiratore në Fier
Ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes industriale në zonën Patoz-Marinëz, duket se ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës. Vetëm për periudhën 2021-2024, raportohet një rritje me rreth 100 % të pacientëve me sëmundje malinje dhe kardiovaskulare në zonën e Roskovecit, Fierit, Ballshit e Mallakastrës.
Syri tv
Ndërkohë që naftëtarët e Patoz-Marinëz janë në grevë për kushte më të mira të punës, situate shëndetësore e tyre dhe e të gjithë banorëve që jetojnë pranë fushës naftë-mbajtëse po shënon një përkeqësim me shifra alarmante për shkak të cilësisë së ajrit dhe natyrës. Në zonën e Roskovecit raportohet janë rritur me 1200% rastet e sëmundjeve respiratore nga viti 2021 e deri më tani. Sipas shifrave zyrtare, rezulton se 4 vjet më parë, numri i rasteve të raportuara me këtë sëmundje ishte vetëm 20 për 10 mijë banorë. Aktualisht, kjo shifër ka arritur në vlerën e 243 raste për 10 mijë banorë.
Situata është gjithashtu e rëndë edhe për sëmundjet malinje. Në zonën e Fierit, numri i pacientëve me sëmundje tumorale është rritur me 300 %, krahasuar me vitin 2025. Një dekadë më parë, në qytet ishin regjistruar 393 persona, ndërkohë që aktualisht, shifra ka tejkaluar numrin 1300, duke e renditur Spitalin e Fierit në numrin e dytë me trajtimin e rasteve të tilla, pas Tiranës.
Ndërkohë, në Roskovec, numri i pacientëve me sëmundje malinje është rritur me 90 % në të njëjtin hark kohor. Edhe rastet e personave me sëmundje kardiovaskulare në zonat pranë fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, gjithashtu kanë shënuar rritje alarmante.
Vetëm për periudhën 2021-2024, raportohet një rritje me rreth 100 % të pacientëve me këto sëmundje në zonën e Roskovecit, Fierit, Ballshit e Mallakastrës.Të dhënat shumë shqetësuese janë përmbledhur në një Raport Performance, të miratuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Audituesit, kanë konstatuar neglizhencë nga strukturat shtetërore, përfshirë Institutin e Shëndetit Publik, i cili ka rreth 10 vite që nuk ka kryer asnjë studim për situatën shëndetësore për banorët e zonës së Patoz-Marinëz.