Situata e reshjeve në vend/ Përmbytje në disa qarqe, 110 shtëpi nën pushtimin e ujit

Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në shtëpi, biznese, bllokim rrugësh dhe, prej disa orësh, shumë zona të vendit janë pa energji elektrike. Në qarkun e Durrësit bëhet me dije se 48 shtëpi janë nën pushtimin e ujit, në qarkun e Lezhës 50 banesa dhe në njësinë Milot 12 shtëpi. Fatmirësisht, deri më tani nuk ka persona të lënduar në asnjë nga qarqet.

Në qarqet e Shkodrës, Gjirokastrës, Vlorës, Fierit, Elbasanit, Beratit dhe Tiranës nuk raportohen problematika. Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile në të gjithë vendin po vijojnë punën për normalizimin e situatës së krijuar nga reshjet e fundit. Në disa zona janë shënuar problematika, ndërsa në shumicën e qarqeve situata paraqitet e stabilizuar.

Qarku Dibër
Në bashkinë Dibër raportohet mungesë energjie elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë, si dhe pjesërisht në Arras e Fushë-Çidhën. Grupet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve. Intensiteti i reshjeve në qark është në rënie.

Qarku Durrës
Në Sukth janë prekur disa banesa në fshatrat Kullë, Hamallë dhe Rrushkull, ku ka edhe rrugë të bllokuara. Në Manzë raportohen rreth 48 shtëpi me prani uji.
Në bashkinë Krujë, në Thumanë, Borizanë dhe Mazhë po punohet për hapjen e kanaleve dhe zhbllokimin e rrugëve, ndërsa në lumin e Drojës po forcohet argjinatura për të shmangur daljen nga shtrati. Niveli i ujit ka nisur të bjerë.

Qarku Lezhë
Në bashkinë Kurbin vijojnë ndërhyrjet për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Mamurras, ku raportohen 50 banesa me prezencë uji dhe 12 të tjera në njësinë Milot. Po punojnë strukturat e bashkisë dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës–Kanalizimeve.
Në bashkinë Mirditë ka ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të njësisë Rubik. Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Qarku Kukës
Në disa akse rrugore ka pasur rënie inertesh, ndaj kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin. Në zona të thella malore ka mungesë energjie dhe ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e furnizimit.

Qarku Shkodër
Nuk raportohen problematika. Vijojnë punimet në kanalin e Gurit të Zi dhe në segmentin pranë urës së Dajçit për garantimin e qarkullimit të ujërave. Në zonën e “Harkut të Berdicës” po kryhet pastrim i depozitimeve që pengojnë rrjedhën. Bashkitë e tjera nuk raportojnë probleme.

Në qarqet e tjera si Gjirokastër, Vlorë, Fier, Elbasan, Berat, Tiranë nuk raportohen problematika nga reshjet. Në Korçë po punohet për rikthimin e energjisë në disa njësi.