Berisha: SPAK ka refuzuar fillimisht të hetojë ’21 Janarin’ sepse aty del se autori kryesor i skenarit është Edi Rama
Në një deklaratë të fortë për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi hapur SPAK-un se ka refuzuar fillimisht të hetojë dosjen e ‘21 Janarit’, me arsyetimin se në këtë çështje del i ekspozuar si autor kryesor i skenarit kryeministri Edi Rama.
Berisha deklaroi se dosja, sipas tij, nxjerr në pah të gjithë mekanizmin e organizimit politik dhe se SPAK, si “vegël e qeverisë”, është tërhequr për të mbrojtur Ramën dhe njerëzit e tij.
Sipas Berishës, faktet e dosjes, përfshirë episodet me bojën e kuqe dhe provat e ekspertizës së armëve, tregojnë se ngjarja është “vrasje shtetërore”, ndërsa ai akuzoi SPAK-un se nuk ka guxuar të veprojë për shkak se përgjegjësit politikë shkojnë deri në majën e qeverisë.
Fjala e tij:
Sepse SPAK është një vegël e kësaj qeverie. E vërteta është se SPAK e ka refuzuar këtë çështje. Pasi ka shqyrtuar dosjen, e ka refuzuar të themi atë që është, sepse e ka parë se autori kryesor i gjithë atij skenari është Edi Rama.
Cilido që e sheh atë dosje, del Edi Rama lakuriq. Del Erion Veliaj duke hedhur bojë të kuqe, është identifikuar edhe personi, sikur është gjak, për të nxitur më shumë. Ndaj dhe Skapi nuk pranoi ta shqyrtojë.
Ajo që thonë se Gjykata e Strasburgut, tha vrasje shtetërore, e kam thënë unë përpara. Pse e kam thënë. Sepse ka vrasje me dashje, ka vrasje pa dashje.
Roja ka ligjin. Roja i Gardës dhe cilido roje, vepron mbi bazën e ligjit dhe lexoni ligjin çfarë thotë. Po të gjuajti, breshëri në ajër, po vazhdoi të gjuajë, tek këmbët dhe pastaj neutralizim.
Ky është ligji i bërë nga socialistët dhe nëqoftëse fillimisht u tha se, janë plumba nga afër që linte për të nënkuptuar që ishin demonstrues që kanë qëlluar njëri-tjetrin, më vonë u tha jo, ajo ekspertizë nuk ishte e drejtë, por janë nga distanca. Atëherë e kam thënë dhe e them, ato janë plumba të armëve të shtetit, të përdorura në përputhje me rregullat dhe ligjin, pra janë vrasje shtetërore të paqëllimshme. Edhe këto quhen vrasje shtetërore.
Por të njëjtën gjë e kam thënë unë edhe për Gërdecin. Pse e kam thënë? Sepse mbikëqyrjen e kishte shteti.
Çfarë ndryshimi ka? Ka një ndryshim ky cilësim, ndryshimi është në dëmshpërblimin e viktimës. Kur vlerësohet se rrethanat dhe të gjitha mund të dëmshpërblehet si viktimë.