Lumi Drojë del nga shtrati në Kurbin, 80 familje të izoluara
Rreshjet intensive të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në Kurbin. Lumi Drojë ka dalë nga shtrati gjatë orëve të para të mëngjesit, duke përmbytur disa zona dhe duke dëmtuar rëndë infrastrukturën.
Në fshatin Shperdhet, ujërat e rrëmbyeshëm kanë shkatërruar segmentin kryesor rrugor, duke e bërë atë totalisht të pakalueshëm për mjetet.
Rreth 80 familje janë aktualisht të izoluar dhe e kanë tepër të vështirë lëvizjen e përditshme.
Ndërkohë, prurjet e lumit Drojë janë rritur ndjeshëm gjatë mëngjesit të kësaj të marte, duke shkaktuar edhe përmbytje në zonën e Fushë-Mamurrasit.
Për pasojë, disa familje janë përballur me hyrjen e ujit në oborre dhe tokat e tyre bujqësore.
Autoritetet vendore po monitorojnë situatën, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin e kalueshmërisë së rrugëve dhe mbrojtjen nga përmbytjet që rrezikojnë të përsëriten.