Miratohet kërkesa e opozitës për mocion me debat nesër në Kuvend për situatën e krimit të organizuar
Në Konferencën e Kryetarëve, Partia Demokratike kërkoi mbajtjen e një mocioni me debat mbi situatën e krimit të organizuar në vend. Mazhoranca kërkoi që debati të shtyhet për një sesion tjetër parlamentar.
Kërkesa e opozitës për zhvillimin e mocionit me debat për rendin dhe sigurinë është miratuar. Mocioni me debat do të zhvillohet më 18 dhjetor. Mazhoranca kërkoi që debati të ishte pikë e fundit në rendin e ditës, por Partia Demokratike e kundërshtoi.
Në deklaratën e tij, Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi u shpreh se nuk mund të pranohet shtyrja e debatit, pasi rregullorja përcakton që mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. Ai shtoi se PD ka dëgjuar institucionet e sigurisë, por mocioni lidhet drejtpërdrejt me qeverinë dhe ka për qëllim të diskutojë masat që ka marrë kjo e fundit.
Bardhi theksoi se kërkesa vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që flasin për rritjen e fuqisë së krimit të organizuar dhe se, sipas tij, ky është momenti i duhur për të zhvilluar debat publik.
'Ne nuk mund ta shtyjmë, sepse rregullorja përcakton që mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. Ne kemi dëgjuar institucionet e sigurisë, por mocioni lidhet me qeverinë. Pra, kërkon të njihet dhe të debatohet mbi masat që ka marrë qeveria. Kërkesa vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që flasin për rritjen e fuqisë së krimit të organizuar dhe çmoj se është pikërisht momenti që të zhvillohet ky debat. Unë propozoj që debatit t’i caktohet data 18 dhjetor, sepse atë ditë parashikohet një seancë që ka vetëm njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Shtoni një pikë në rendin e ditës, që të jetë pikërisht debati për masat e qeverise në raport me krimin e organizuar.' -u shpreh ai