Oleksandr Usyk heq dorë nga titulli WBO, Fabio Wardley shpallet kampioni i ri i botës
Oleksandr Usyk nuk është më kampioni i peshave të rënda në versionin WBO. Boksieri ukrainas, i pamposhtur në 24 duele, ka vendosur t’i dorëzojë rripin pas kërkesës së organizatës që ai të përballej me britanikun Fabio Wardley, kampion i përkohshëm të kategorisë.
Me tërheqjen e Usyk, titulli i plotë i WBO-së i kalon automatikisht Wardley-t, i cili numëron 20 fitore dhe 1 barazim në karrierë dhe mbetet i pamposhtur. Ky është suksesi më i madh i britanikut deri tani, duke e futur atë në radhën e kampionëve të peshave të rënda nga Mbretëria e Bashkuar, pas emrave si Daniel Dubois, Tyson Fury dhe Anthony Joshua.
Në njoftimin zyrtar, WBO bëri të ditur se ka marrë komunikimin nga ekipi i Usyk, ku nënvizohej vendimi i tij për të lënë titullin. “Pas një vlerësimi të plotë, Usyk ka zgjedhur të heqë dorë nga kampionati. Ne e respektojmë vendimin e tij. Kjo është thjesht një pauzë, jo një lamtumirë. Dyert e WBO-së mbeten të hapura për të,” thuhet në deklaratë.
Wardley siguroi titullin e përkohshëm muajin e kaluar, kur mposhti Joseph Parker me nokaut në raundin e 11-të. Në shtator, WBO i kishte kërkuar Usyk të përballej me fituesin e përballjes Parker–Wardley, por ukrainasi refuzoi për shkak të një dëmtimi, duke çuar në vendimin e tanishëm.
Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme në skenën e peshave të rënda, ndërkohë që pritet të shihet nëse Usyk do të rikthehet për të rimarrë titullin në të ardhmen.