8 ligje të Paketës Fiskale në Kalendar/ Bardhi: E papranueshme, hedh në erë procedurën parlamentare, e çojmë në GJK!
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ishte i ashpër në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila po zhvillohet këtë të martë 18 nëntor në Kryesinë e Kuvendit, lidhur me futjen në Kalendarin e punimeve të 8 ligjeve të Paketës Fiskale.
Sipas Bardhit, kjo është në shkelje të Kushtetutës, ndërsa për PD e konsideroi të papranueshme futjen në kalendarin e punimeve, duke shtuar se kjo hedh në ‘erë’ çdo procedurë parlamentare.
Bardhi kërkoi llogari nga kryeparlamentari Niko Peleshi, duke e paralajmëruar se ndjekja e një procedure të tillë parlamentarë, do të shkojë në Kushtetuese.
‘T’u lini vetëm 24 orë kohë për të diskutuar 8 ligje mund ta bëni vetëm ju, dhe nuk e di, Kryetar, kush ju shtyn ta bëni këtë. Po ua them këtu se kjo çështje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese’, paralajmëroi Bardhi.
Keni futur në kalendar 8 ligje të paketës fiskale. I keni futur për seancën e nesërme, në shkelje të plotë të Kushtetutës. Këto ligje u janë dhënë deputetëve në datën 14 nëntor dhe kërkoni t’i miratoni nesër.
Kjo është e papranueshme dhe hedh në erë çdo procedurë parlamentare. T’u lini vetëm 24 orë kohë për të diskutuar 8 ligje mund ta bëni vetëm ju.
Dhe nuk e di, Kryetar, kush ju shtyn ta bëni këtë. Po ua them këtu se kjo çështje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.