U bllokuan në Theth, evakuohen 9 persona me 5 makina. Rruga Breg Lumi–Theth e dëmtuar rëndë
Reshjet e dendura të pasdites së djeshme kanë shkaktuar probleme në qarkun e Shkodrës, ku segmenti rrugor Breg Lumi–Theth është dëmtuar rëndë, duke lënë të bllokuar 9 persona dhe 5 mjete.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të Forcave të Armatosura, të gjithë personat u evakuuan dhe janë jashtë rrezikut. Ndërkohë, rruga vijon të jetë e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me ndihmën e 10 efektivëve të FA.
Probleme janë raportuar edhe në bashkinë Fushë Arrëz, ku era e fortë ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Autoritetet po monitorojnë situatën dhe bëjnë apel për kujdes gjatë lëvizjeve, sidomos në zonat malore.