'Paketa e maleve tallje'/ Banorët e Vlorës kundër qeverisë, Kullolli: Mos hajdeni në pronat tona...

Durimi i banorëve të Vlorës ka arritur në limit. Përfaqësuesi i tyre, Edviol Kulluri, i ftuar në emisionin 'Kafe Shqeto', hodhi poshtë nismat e qeverisë si “paketa e maleve” apo “paketa e fushave”, duke i cilësuar si “tallje dhe lojëra propagandistike”.

Ai i bëri thirrje qeverisë të ndalojë manovrat dhe të zbatojë detyrimin ligjor: certifikimin e pronave të banorëve.

Duke folur në emër të komunitetit të organizuar në Kuvendin Krahinor, Kulluri lëshoi një paralajmërim të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Ai deklaroi se, ndërsa komuniteti po ndjek rrugën ligjore, është i gatshëm të mbrojë fizikisht pronat e veta nëse preken.

“Ta harrojë kush e mendon atë gjë. Mos hajdeni në krahinën tonë të bëni krime, sepse po ju themi hapur fare: do lëvizë druri,” u shpreh ai.

Pjesë nga deklarata:

Shiko, ne këto paketat e maleve, paketat e fushave i shikojmë vetëm si lojëra, si tallje me ne, sepse të gjitha qeveritë e 33 viteve, 35 viteve të fundit nuk na kanë respektuar për pjesën e të drejtës pronësore. Edhe këtu qëndron edhe për qeverinë e zotit Berisha që ka qenë, edhe për këtë qeverinë aktuale, edhe për qeverinë e atij tjetrit, të Nanos e të gjitha me radhë. Pra, këto janë gabime që kanë bërë qeveritë dhe që duhet t’i riparojnë. Po problemi aktualisht është më akut, është... Domethënë, le ta themi shqip, kjo qeveri e këtyre 13 viteve, e 12 viteve më fal, është më agresive në këtë aspekt, po dhe na tallavit shumë duke na bërë nga këto, jo paketat e maleve, jo paketat e fushave. O zotëri, lëri këto paketa e atyre, paketa e këtyre. Të lutem më kthe certifikatën e pronësisë mua për tokat e stërgjyshërve, edhe gjithë fshatit tim, e gjithë krahinës time, e gjithë shqiptarëve, certifiko pronat. Lëri këto paketat e këto, se nuk janë muhabet për ne këto, këto janë muhabet për të tallavitur opinionin publik, për të bërë propagandë. Ti në qoftë se je serioz në atë që synon, në atë dhënien e pronës, na jep pronën neve, na certifiko pronën se ne e dimë të gjithë ku e kemi, s’kemi asnjë lloj problemi. Tokën e posedojmë ne, e kemi ne, konflikte me njëri-tjetrin pothuajse nuk kemi fare, janë gati inekzistente, dhe thjesht hajde aty dërgo një grup, një komision me ekspertë, inxhinierë, juristë, topografë e çdo gjë që duhet, edhe kthe pronën. Kaq, se nuk e ke kthyer 35 vjet. Kjo është.

Hapi i radhës tani, ëh, hapi i radhës është që ai, se më fal, domethënë ai në vend që të bëjë këtë, vazhdon, “këtu je pa leje”, “paligjshmëria do ndëshkohet”. Po cila paligjshmëri mor zotëri? Ne kemi 35 vjet që kemi ndërtuar ndërtesat. Nuk ka asnjë lloj kodi etik dhe morali europian apo ligjor që ti, kur ke mbi një numër vitesh të caktuara, të vijë ai dhe të ta prishë ty se i teket qejfi atij. Nuk është ashtu. Sepse a është kaq e pasur kjo Shqipëri që ti të shkatërrosh pronat e shqiptarëve? T’i marrësh, t’i shkatërrosh, siç bëri në Theth që prishi 20 e ca milionë euro kapital atje dhe i la ata, i dërrmoi komplet. Të njëjtën gjë do ta bëjë dhe te ne, por, ëh, e thashë që nuk ia vë fajin vetëm kësaj qeverie, sepse frutat janë të kësaj qeverie dhe rrënjët edhe trungu janë të qeverive të tjera më përpara. Janë bashkëpunëtorë në këtë gabim që ka ndodhur, thjesht ne po e pësojmë më shumë tani.

Hapi tjetër i radhës është që ne jemi organizuar në kuvendin komunitar krahinor të krahinës Dukat, Tragjas, Radhimë, Orikum. E kemi traditë të konsoliduar tashmë, sepse kemi ngritur një kuvend që në 2010, që ishte Kuvendi i Dukatit, po tani është zgjeruar, është bërë kuvend i krahinës. Dhe ky kuvend funksionon nëpërmjet demokracisë së drejtpërdrejtë. Pra, çdo person mbi 18 vjeç vjen aty dhe përfaqëson veten e tij edhe familjen e tij, nëse ka delegim nga familja. Dhe çdo person jep kontributin e tij qoftë juridik, qoftë fizik, qoftë financiar, qoftë reputacional për forcimin e kuvendit dhe për unitetin e komunitetit krahinor. Edhe për mbrojtjen, kuptohet, të aseteve.

Dhe ne, edhe pse është shpopulluar shumë ashpër Shqipëria që nga mbas 2010-ës, domethënë kur ikën vizat dhe u fut e drejta për të ecur, për të ikur lirshëm në Europë, prapë kemi fuqi që të nxjerrim… imagjinoje që ishim të paktën 300 veta atje në SPAK. Po të vish nga Dukati edhe nga Orikumi, Tragjasi, Radhima të vish 300 veta, vetëm ana logjistike, kuptoje vetë, që duhen me dhjetëra makina dhe imagjino çfarë shpenzimi. Kanë lënë njerëzit punët dhe ne prapë e kemi këtë vullnet dhe mund të vijmë dhe në numër shumë më të madh, po ishte pak e shpejtë, si ishte organizim i shpejtë, se na tha avokati që në këtë datë do ta bëjmë dhe brenda dy-tre ditëve u organizuam. Po dhe rreth 70 a më shumë njerëz na ngelën në rrugëve, nëpër trafik, e s’erdhën dot, erdhën me vonesë. Kështu që ne kemi potencial për të nxjerrë minimalisht 1000 djem dhe burra në rast rreziku në rrugë. Dhe këta djem dhe burra do të dalin, nuk do të dalin për të bërë shaka, do të dalin për të mbrojtur pronën e tyre. Domethënë me protesta, brenda legjitimitetit. Në qoftë se pastaj uniformat e keqpërdorura kërkojnë të na shtypin me dhunë, ne do mbrojmë veten tonë, se legjitim jemi ne, nuk janë ata. Ne jemi legjitim.

Po, po. Kuptohet, ka kaluar nivelin e… E qartë, e qartë. Mos të merremi me sofizma të kësaj pjese. Nuk merremi, sepse do lëvizë druri, më kupton? Do lëvizë druri, nuk është kollaj që të vish ti të më rrëmbesh pronat neve. Ta harrojë kush e mendon atë gjë. Edhe i paralajmërojmë: mos hajdeni në krahinën tonë të bëni krime të tilla, sepse po ju themi hapur fare, do lëvizë druri. Dakord. Këtu, tak-tak, nuk pyesim fare, se s’bëjmë njeri prapa, sepse pronat e të parëve tanë i kanë mbrojtur me gjak. Dhe për ne është turp që të paktën të mos i mbrojmë me dru. Ata i kanë mbrojtur me pushkë e me top, ne do t’i mbrojmë edhe me dru. Domethënë e them këtë jo për të deklaruar paligjshmëri, por ne jemi të ligjshëm, ata janë të paligjshëm. Thjesht ata, duke pasur institucionet në dorë, na kanë bërë neve të paligjshëm në mënyrë të imponuar, se s’na kanë dhënë certifikatat. Po ne, sipas ligjit, jemi të ligjshëm. Dhe kur tjetri vjen të të zaptojë pronën tënde të ligjshme dhe të të shkatërrojë pronën, ti do mbrohesh, s’ke çfarë bën, kupton? Ne domethënë e marrim, e kemi marrë përsipër atë risk dhe jemi dakord komplet si krahinë që të bëjmë mbrojtje.

Po jemi nisur për mbrojtje ligjore, sepse duam të respektojmë ligjin, jemi për ligjin, për shtetin, nuk jemi për të bërë vandalizma, por jemi nisur, prandaj erdhëm dje në SPAK, domethënë, dhe bëmë ankesën tonë në SPAK. Shpresojmë shumë që SPAK-u të na i marrë parasysh, sepse është bërë dhe reforma në drejtësi dhe kjo është një drejtësi e re dhe mendoj që SPAK-u ka një reputacion si një forcë që godet korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në rastin tonë është një organizatë kriminale e përbërë nga pushtetarë, funksionarë, oligarkë dhe kriminelë. Ja, do e shohim sa do i qëndrojë SPAK-u reputacionit të vet, të paktën për momentin.