‘Po na zhvendosin nga tokat e të parëve tanë’/ Sipërmarrësi Nezha: Kemi të bëjmë me organizatë kriminale

Banorët e zonës së Orikumit dhe të gjithë vijës bregdetare deri në Llogara i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke denoncuar një skemë, e cila sipas tyre, synon shpronësimin dhe shpopullimin e tyre për t'i hapur rrugë interesave të oligarkëve në gadishullin strategjik të Karaburunit.

Në një betejë ligjore dhe publike që zgjat prej dekadash, qindra familje përballen me urdhrat e prishjes nga IKMT për banesat dhe bizneset e tyre, të cilat përbëjnë rreth 90% të ekonomisë lokale.

I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, sipërmarrësi Ardian Nezha, njëkohësisht protestues tha se ky nuk është një veprim i izoluar për zbatimin e ligjit, por kulmi i një plani për t’i “zhdukur ekonomikisht”, me qëllim zaptimin e tokave të tyre të trashëguara.

Shumë banorë i zotërojnë tokat me ligjin 7501, por shteti nuk ua ka konvertuar kurrë certifikatat në pronësi të plotë, duke i lënë në një status të paqartë “në përdorim”. Këtë vakum, sipas banorëve, e kanë shfrytëzuar grupe interesi të lidhura me pushtetin, të cilët kanë siguruar certifikata pronësie me “padrejtësira dhe poshtërsira”, duke krijuar mbivendosje mbi pronat e banorëve autoktonë.

Banorët pretendojnë se e gjithë kjo lëvizje është pjesë e një skeme më të madhe që lidhet me “pushtimin e Karaburunit”.

Pas protestave të shumta ndër vite, të cilat nuk kanë sjellë asnjë rezultat, komuniteti ka vendosur t'i besojë drejtësisë së re. Denoncimi i dorëzuar në SPAK cilëson situatën si veprimtari të një “organizate kriminale” me bashkëpunim mes privatit dhe publikut, dhe e ngre atë deri në nivelin e një “krimi kundër njerëzimit”, pasi sipas tyre, “politika po i detyron të zhvendosen nga tokat e të parëve”.

Ishte e pashmangshme protesta. Problemi është që domethënë me gjithë këto sensibilizime që kemi bërë, asnjë politikan, asnjë administrator nuk ka patur një sekondë kohë që të na interpelojë, të na dëgjojë, të na të kërkojë çfarë zgjidhje mund të na japin ndonjë gjë. Heshtje totale, heshtje totale. Kjo është shumë e rrezikshme. Do të thotë je palë me ta. Je palë me ta, përderisa asnjë, asnjë nuk është denjuar që të na dëgjojë. Derisa u detyruam që të vemi të bëjmë denoncimin publik në SPAK dje, me avokatin dhe me qindra banorë të zonës.

Ne shpresojmë që SPAK-u ta marrë seriozisht dhe, përkundrazi do të lutesha shumë ta marrin seriozisht këtë gjë. SPAK-u, të gjithë ata që kanë në dorë këtë, këtë çështje, ta marrin seriozisht dhe ta zgjidhin sepse këtu kemi domethënë një, një organizim kriminal privat me publikun që kërkojnë të na shpronësojnë dhe të na shpopullojnë si zonë. Kemi, siç e thashë dhe në denoncim që e kemi bërë dje, denoncimin e kemi bërë, kemi të bëjmë me organizatë kriminale plus kemi dhe me krim kundër njerëzimit, sepse politika po na detyron që të zhvendosemi nga tokat tona, nga tokat e të parëve tanë. Po na detyrojnë që të shpopullohemi.

Mbështetja është maksimale nga të gjithë. E thashë dhe dje, ne nuk kemi mbështetje vetëm nga ata, nga ata që janë nëpër zyrat e shtetit, që marrin një, një rrogë mizerabël atje dhe kanë, kanë trysninë e, e pushtetit dhe kanë frikë të ekspozohen. Ne mbështetjen e kemi nga të gjithë. Çdo ditë marrim mbështetje maksimale. Vetëm unë dje nuk e di sa mbështetje kam marrë dhe nga, dhe nga zonat e tjera, dhe nga zonat e tjera kemi mbështetje. Nga Berati kishim dje, nga Kavaja, nga Durrësi, nga Fieri. Kemi, kemi mbështetje maksimale.

Dhe ne bizneset, siç e thatë dhe ju, unë personalisht 34 vjet që e kam biznesin, duke paguar taksa për çdo gjë, duke punësuar njerëz e të gjitha, nuk ka mundësi që të na mbajnë, na bëjnë kështu, të na mbajnë, na mbajnë varur, sepse duhet që të jemi domethënë të pa dokumente siç e tha dhe zoti Kulluri, pa dokumente pronësie, që të jemi vegël e tyre dhe të na shporrin kur të duan. Mos kemi asnjë mjet juridik për të, për ta vërtetuar që jemi pronarë.