Moti i keq në Vlorë: Pisha të shkulura në Pyllin e Sodës, pengohet qarkullimi i automjeteve

Moti i keq ka goditur sërish qytetin e Vlorës, ku erërat e fuqishme të ditës së sotme kanë shkaktuar një sërë problemesh në disa zona të qytetit. Në afërsi të rrugës kryesore është rrëzuar një rrap shumëvjeçar, duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet që qarkullonin në zonë.

Situata paraqitet më e vështirë në Pyllin e Sodës, ku disa pisha janë shkulur nga era, duke bllokuar segmentet kryesore të rrugës.

Për pasojë, qarkullimi është vështirësuar derisa kanë ndërhyrë shërbimet bashkiake për pastrimin e pemëve të rrëzuara.

Ndërkohë, edhe në Plazhin e Vjetër, një pemë e madhe ka rrezikuar kalimtarët dhe automjetet, duke bllokuar përkohësisht një krah të rrugës.

Ekipet e ndërhyrjes së shpejtë ndodhen në terren dhe po punojnë për normalizimin e qarkullimit.

Pavarësisht erërave të forta dhe dëmtimeve të pjeshme në infrastrukturën e gjelbër, deri tani nuk raportohet për problematika nga përmbytjet, ndërsa situata mbetet nën monitorim.