Pse një pëshpëritje e thjeshtë e djalit të Trump dhe Biden u kthye në një debat kombëtar

Është zbardhur një nga momentet më të komentuara të ceremonisë së inaugurimit të Donald Trump për mandatin e tij të dytë si President i Shteteve të Bashkuara. Bëhet fjalë për çastin kur djali i tij më i vogël, Barron Trump, u afrua dhe i pëshpëriti diçka në vesh presidentit në largim, Joe Biden – një moment që ndezi diskutime të shumta në rrjetet sociale.

Në një intervistë në “The Megyn Kelly Show”, Eric Trump tregoi se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë pas asaj skene që qarkulloi gjerësisht në mediat sociale.

“E mbani mend kur Barron iu afrua Bidenit dhe media nisi të publikonte analiza të leximit të buzëve? Disa madje pretendonin se ai i kishte thënë diçka fyese,” tha Eric Trump.

Sipas tij, e vërteta ishte krejt tjetër.

“E mora një natë në telefon dhe i thashë: ‘Barron, çfarë i the realisht?’ Ai më tha se ishte diçka shumë e sjellshme, një urim. Diçka si: ‘Urime dhe fat të mbarë’.”

Eric Trump theksoi se vëllai i tij është “jashtëzakonisht i sjellshëm” dhe nuk është tipi që krijon polemika:
“Ai mund t’i mendojë gjërat, por nuk i thotë me zë. Barroni është me të vërtetë një djalë i mirë.”

Gjatë momentit të shkurtër të përshëndetjes, kamerat kapën një buzëqeshje të Bidenit, e cila më pas u zëvendësua me një shprehje më serioze, duke nxitur më tej spekulime mbi bisedën mes tyre.

Ndërkohë, gjesti i shtrëngimit të duarve me Joe Biden dhe Kamala Harris u vlerësua gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e cilësuan Barron Trump si “një zotëri të vërtetë”.