Protesta e opozitës, vendoset foltorja para Kryeministrisë
Partia Demokratike do të zhvillojë sot një protestë para godinës së Kryeministrisë, e cila pritet të nisë në orën 18:00 dhe të zgjasë deri në 20:00.
Tubimi vjen pas shpalljes së nënkryeministres Belinda Balluku të pandehur nga SPAK, si edhe për shkak të akuzave të opozitës se po u kufizohet hapësira në Kuvend.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, pritet të dalë nga selia blu për t’iu bashkuar protestuesve në bulevard ndërkohë që është vendosur edhe foltorja. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie: godina e Kryeministrisë është rrethuar me barriera mbrojtëse dhe disa rrugë që të çojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë bllokuar për qarkullimin e mjeteve.
Berisha ka deklaruar se kërkesat kryesore të protestës janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e Belinda Ballukut. Ai e ka cilësuar këtë tubim si hapin e parë drejt krijimit të një qeverie teknike.