Afera 50 mln euro Rama-Balluku/ Eno Bozdo: ‘Parlamenti qytetar’ do vijojë…
Partia Demokratike ka organizuar një protestë para Kryeministrisë, të cilën e ka pagëzuar si “parlamenti i parë qytetar”.
Përfaqësues i opozitës, deputeti i PD, Eno Bozdo, në një intervistë për SYRI-n, deklaroi se ky veprim vjen si një kundërpërgjigje ndaj asaj që ata e cilësojnë si mbyllje e çdo mjeti komunikimi dhe shkelje e të drejtave kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas Bozdos, opozitës i është mohuar hapësira për të debatuar, ndërsa seanca të rëndësishme, përfshirë diskutimin e programit të qeverisë dhe projektligje me impakt të lartë publik, janë kaluar në seanca të përshpejtuara që zgjasin më pak se 20 minuta.
Mungesa e ministrave në interpelanca dhe shmangia e llogaridhënies nga ana e Kryeministrit Edi Rama, janë përmendur si arsyet kryesore që e kanë detyruar opozitën të zhvendosë debatin politik në rrugë.
Në qendër të protestës dhe akuzave ka qenë ajo që opozita e quan “afera Rama-Balluku”. U pretendua se bëhet fjalë për një vjedhje prej 50 milionë eurosh, të cilat “kanë ikur në drejtim të paditur”. Sipas opozitës, kjo shumë është vjedhur me firma brenda një kohe të shkurtër dhe përbën një dëm kolosal për buxhetin e shtetit.
Për të ilustruar përmasat e dëmit, u bë një krahasim i drejtpërdrejtë: “50 milionë euro ka grabitur binomi Rama-Balluku, 50 milionë euro është e gjithë ajo çfarë jep qeveria shqiptare në ndihmë të fermerëve në vitin që vjen”, u shpreh Bozdo.
Opozita theksoi se përgjegjësia politike nuk i takon vetëm zëvendëskryeministres Belinda Balluku, por drejtpërdrejt Kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre, çdo vendimmarrje në qeveri ka bekimin e Ramës dhe se opozita zotëron “prova përvëluese” për ndërhyrjen e tij. Për këtë arsye, u deklarua se është e kotë të kërkohet dorëheqja e Ballukut pa kërkuar largimin e atij “që e ka orkestruar të gjithë historinë”.
“Parlamenti qytetar” u paralajmërua si një formë e vazhdueshme proteste, e cila do të vijojë për sa kohë opozitës i mohohen hapësirat në Kuvend dhe për sa kohë “afera Rama-Balluku” nuk do të ketë marrë një zgjidhje. Hapi i parë drejt zgjidhjes, sipas opozitës, do të ishte shkarkimi i zëvendëskryeministres, një veprim që ata nuk presin të ndodhë pasi, sipas tyre, “ata janë bashkë në aferë”.
Bozdo: Së pari, kjo protestë është një protestë e cila bëhet si reagim i faktit që Partisë Demokratike, opozitës në përgjithësi, në mënyrë absolutisht të paparë e të padëgjuar më parë, i janë mbyllur dhe po i mbyllen çdo lloj mjeti komunikimi ëh, në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe nuk flasim këtu për dëshira për të komunikuar ne më shumë, por për ato të drejta që na i sanksionon Kushtetuta dhe rregullorja. Ju e keni parë që seanca shumë të rëndësishme, me shumë interes për publikun, kanë kaluar brenda 20 minutave, programi i qeverisë, çështja e raportimit të institucioneve të pavarura, projektligje që kanë impakt në jetën e qytetarëve, integrimi, menaxhimi i integruar i mbetjeve e tjerë e tjerë. E pra, ëh, kemi ministra që nuk denjojnë që të vijnë në interpelancë, apo grupi parlamentar i Partisë Socialiste as nuk i lë ata të vijnë në interpelancë. Nuk i, nuk i lë që të vijnë as në seanca të mocionit me, me debat. Pastaj për të mos folur pastaj për zëvendëskryeministren që është në drejtim të paditur dhe kryeministrin i cili nuk shkel në sallën e parlamentit, qoftë edhe atëherë kur i kërkohet të vijë t'i japë llogari. E pra, në këto kushte, Partia Demokratike do shfrytëzojë të gjitha llojet e hapësirave të komunikimit publik. Kjo protestë hyn në, në këto lloj kategorie, për të ngritur problemet që nuk arrijnë dot ëh, t'i transmetojë siç duhet qëndrimin e deputetëve të saj, qëndrimin e njerëzve të saj për çështje që shqetësojnë vendin. Dhe sigurisht që kryetema e ditës sot ka për të qenë Belinda Balluku dhe Edi Rama.
Unë besoj që do të jetë një parlament i vazhdueshëm. Për sa kohë opozitës jo vetëm që nuk i lirohen hapësirat, nuk merr atë që i takon, që i jep Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por që goditet nga të gjitha anët dhe bllokohen rrugët e saj në të gjitha anët. Dhe për më tepër, për sa kohë nuk ka marrë zgjidhje afera Rama-Balluku. Dhe hapi i parë drejt zgjidhjes do jetë shkarkimi i kryeministres nga... më falni, i zëvendëskryeministres nga kryeministri, gjë që e dimë që s'ka për të ndodhur, se ata janë bashkë në aferë.