Armando Broja mund të buzëqeshë, dëmtimi nuk rezulton të jetë i rëndë

Ka dalë tashmë përgjigjja zyrtare e ekzaminimeve mjekësore për dëmtimin që pësoi Armando Broja në fund të ndeshjes ndaj Anglisë, dhe situata për fat duket më pak shqetësuese nga sa u mendua fillimisht.

Sulmuesi i Burnley-t, i cili u fut në fushë në minutën e 75-të, ishte sërish në qendër të vëmendjes, ashtu siç ndodh shpesh me të, pavarësisht faktit se po kalon një periudhë të vështirë në karrierë. Broja u duk i motivuar gjatë minutave të fundit të takimit, por duket se gjendja e tij e brishtë psikologjike dhe fizike e ka ndjekur edhe këtë herë.

Në fund të ndeshjes, ai pësoi një dëmtim që e detyroi të largohej nga fusha me barelë, duke krijuar frikën për një tjetër problem serioz fizik. Por sipas informacioneve të fundit, rezultatet e kontrollit mjekësor janë pozitive.

Ekzaminimet kanë treguar se Broja ka pësuar vetëm një ndrydhje të kaviljes, një dëmtim i lehtë që kërkon një periudhë të shkurtër rikuperimi. Sipas burimeve të njëjta, ai pritet të rikthehet në stërvitje pas 4–5 ditësh pushim, duke shmangur kështu çdo skenar më të rëndë.

Kështu, sulmuesi shqiptar do të jetë sërish shumë shpejt në dispozicion të stafit teknik të Burnley-t, i gatshëm të vijojë sezonin dhe të kërkojë ringritjen e tij në Premier League.