SYRI TV/ Fletëthirrja për 21 janarin, Berisha kap mat SPAK: Në 3 Nëntor isha në një zyrat e SPAK

Lideri i opozitës, Sali Berisha, e ka cilësuar fletëthirrjen e SPAK për çështjen “21 Janari” si një tentativë për të zbehur, sipas tij, aferën e tunelit të Llogarasë, ku ai akuzon se janë të përfshirë Belinda Balluku dhe Edi Rama.

Berisha deklaroi se në datën kur mban datën fletëthirrja 3 nëntor ai ka qenë fizikisht në ambientet e SPAK, në kuadër të zbatimit të masës së sigurisë, dhe se askush nuk i ka komunikuar asgjë për një thirrje të tillë. Sipas tij, dokumenti “ka qëllime propagandistike”, ndaj edhe ka përfunduar fillimisht në media, ndërsa nuk i ka mbërritur ende zyrtarisht në adresë.

Berisha këmbënguli se fletëthirrja nuk lidhet realisht me hetimin e 21 Janarit, por “me përpjekjen për të larguar vëmendjen nga skandali i tunelit të Llogarasë”. Ai theksoi se nuk është thirrur asnjëherë për këtë çështje, ndërsa kujtoi se 21 Janarin e ka cilësuar publikisht si “vrasje shtetërore”, përfshirë edhe para gjykatës së Strasburgut.

Kreu i PD u ndal edhe te çështja e gjyqtares Irena Gjoka, duke e konsideruar hetimin paraprak ndaj saj si “formën më korruptive të hetimit”.