SYRI TV/ Aksi rrugor i kthyer në burim aksidentesh, Fier-Levan, pa trotuar, ndriçim dhe pa siguri
Aksi rrugor që përshkon lagjet Zhupan, Drizë dhe Peshtan i Vogël, pjesë e rrugës së vjetër Fier–Levan, është kthyer në makth për banorët e zonës. Mungesa e trotuareve dhe ndriçimit e ka rritur ndjeshëm rrezikun e aksidenteve, të cilat shpesh kanë pasur pasoja fatale.
Vetëm një kilometër rrugë, që lidh Fierin me këto lagje, është shndërruar në një burim aksidentesh të përsëritura për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe sinjalistikës. Segmenti, pjesë e një rruge me trafik të rënduar, përdoret çdo ditë nga banorët që lëvizin në këmbë ose me biçikleta, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të përhershëm për jetën.
Banorët e Drizës dhe zonave përreth thonë se situata vijon e pandryshuar prej vitesh, pavarësisht ankesave të tyre. Ndërtimi i trotuareve, vendosja e ndriçimit dhe tabelave paralajmëruese do të mund të rrisnin ndjeshëm sigurinë e rreth 3 mijë banorëve, të cilët prej kohësh udhëtojnë në një aks rrugor që u rrezikon jetën çdo ditë.