SYRI TV/ Banorët e Vlorës protestë në SPAK: Rama e ish-kryebashkiaku në SHBA po na grabisin pronat
Banorët e katër fshatrave në Vlorë kanë protestuar para SPAK, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka firmosur grabitjen e pronave të tyre nën justifikimin e investimeve strategjike. Banorët dhe avokati mbrojtës pretendojnë se tjetërsimi i pronave është bërë përmes falsifikimit të dokumenteve, ndërsa akuzojnë se pas skemës korruptive përfitues rezulton edhe një ish-kryebashkiak në SHBA, i shfaqur këtë verë krah kryeministrit si “mik i shqiptarëve”.
Banorët e katër fshatrave të krahinës Dukat–Tragjas–Radhimë–Orikum kanë protestuar sot para SPAK dhe kanë kallëzuar penalisht kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se me firmën e tij u janë grabitur pronat në emër të ligjit për investitorët strategjikë. Sipas banorëve, pronat janë marrë me dokumente të falsifikuara, duke i zhveshur ata nga titujt e pronësisë që gëzojnë që prej viteve ’90.
Avokati përfaqësues i banorëve, Arben Llangozi, kërkoi nga SPAK që hetimet, përmes kallëzimit të paraqitur, të shtrihen edhe përtej Shqipërisë, pasi sipas tij, në skemën e grabitjes së pronave është i përfshirë edhe një shtetas amerikan, ish-zyrtar i lartë që është shfaqur krah Edi Ramës si mik i shqiptarëve. I pyetur për identitetin e zyrtarit amerikan, Llangozi deklaroi se bëhet fjalë për një ish-kryebashkiak, i cili këtë verë është pritur në Kryeministri.
"Miku i ngushtë i kryeministrit shqiptar që u paraqit këtë verë është një ish kryetar bashkie. Është promovuar si miqtë e shqiptarëve kur në SHBA ka qindra afera apo qindra hetime ndaj tij" tha avokati për Syri Tv.
Zyrtari amerikan, të cilin avokati Arben Llangozi kërkon që SPAK ta hetojë, është ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, i cili pas takimit në Kryeministri fluturoi drejt Vlorës me një nga helikopterët e Forcave të Armatosura shqiptare.
Tashmë i mbetet SPAK-ut të verifikojë akuzat e banorëve dhe të avokatit, përfshirë edhe pretendimin e rëndë për përfshirjen e një zyrtari të lartë amerikan në këtë çështje.