SYRI TV/ Përkujtohen 39 intelektualët e pushkatuar, Trump shpall javën e antikomunizmit
SYRI TV
Ceremonia “Tirana e përgjakur” përkujtoi 39 intelektualët e pushkatuar nga regjimi komunist, ndërsa u rikujtua edhe qëndrimi i Presidentit Donald Trump, se komunizmi nuk ka vend në një shoqëri të lirë. Të pranishmit theksuan rëndësinë e kujtesës dhe domosdoshmërinë e për zbardhjen e të vërtetës historike.
Para Institutit të ish-të përndjekurve politik u zhvillua ceremonia përkujtimore “Tirana e përgjakur”, një aktivitet solemn në nder të 39 intelektualëve tiranas, të pushkatuar nga regjimi komunist. Në këtë homazh, kreu i Shoqatës së të Përndjekurve Politik, Besim Ndregjoni, theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë shpallur 2–8 nëntorin si javën e antikomunizmit, ndërsa rikujtoi deklaratën e presidentit Donald Trump se komunizmi nuk ka vend në të ardhmen e lirë të Amerikës. Sipas Ndregjonit, edhe sot qeveria shqiptare vijon të ecë në një linjë që, sipas tij mban gjurmë nga e shkuara komuniste.
Atmosfera u rëndua më tej nga rrëfimet dhe kumtesat e të pranishmëve, të cilët sollën në kujtesë historitë e 39 burrave të ekzekutuar pa gjyq. Familjarë, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile ndanë dëshmi të dhimbshme, që shërbyen si një apel i fortë për zbardhjen e plotë të krimeve të diktaturës dhe për moslejimin e fshirjes së kujtesës historike.
Ceremonia u kthye në një thirrje të qartë që memoria e viktimave të mos mbetet vetëm një rit vjetor, por një detyrim moral për drejtësi, transparencë dhe kujtesë kolektive.