Tek Evertoni janë të lumtur me vendimin: Sa mirë që s’e blemë Brojën!

 Anglia e mbylli fushatën kualifikuese të Botërorit 2026 me fitore ndaj Shqipërisë në Tiranë, falë ‘dopietës’ së Harry Kane. Skuadra e Thomas Tuchel e mbylli fushatën në Grupin K me tetë fitore në tetë ndeshje dhe pa pësuar asnjë gol. Megjithatë, sfida u errësua nga një tjetër dëmtim i rëndë i Armando Brojës, një lajm që ka tërhequr vëmendjen e tifozëve të Evertonit, shkruan ‘Everton News’.

Evertoni e refuzoi blerjen e Brojës dhe sot duket vendim i duhur

Armando Broja iu bashkua Evertonit në huazim në fillim të sezonit të kaluar, por mbërriti me probleme të shputës së Akilit dhe debutoi vetëm në dhjetor. Ai luajti vetëm pesë ndeshje, një si titullar, përpara se të dëmtohej sërish në kyçin e këmbës në fillim të vitit të ri.

Performanca e tij nën drejtimin e David Moyes nuk pati rritje dhe pas një paraqitjeje të dobët ndaj Manchester City-t në prill, ai përfundoi në stol. Evertoni kishte opsionin për ta blerë përfundimisht sulmuesin shqiptar, por zgjodhi të mos e aktivizojë, duke firmosur në vend të tij me Thierno Barry-n.

Në krahasim, Barry mund të mos ketë shkëlqyer ende, por ai nuk ka historikun e gjatë të dëmtimeve të Brojës dhe ka treguar aftësi shënimi në karrierë me Baselin dhe Villarrealin. Ndërkohë Broja nuk ka shënuar një gol me klubet e tij prej gati dy vitesh.

Karriera e Brojës, e penguar vazhdimisht nga dëmtimet

Sulmuesi, dikur premtues te Chelsea dhe pas një huazimi të mirë te Southampton-i, u kthye në lojtar të brishtë pas dëmtimit serioz të ligamentit të kryqëzuar gjatë pushimit të Botërorit 2022. Huazimet te Fulhami dhe Evertoni nuk patën rezultat për shkak të problemeve fizike të përsëritura.

Të dhënat flasin vetë:

Klub                     Ndeshje     Gola

Chelsea                38               3

Southampton       38               9

Fulham                 8                 0

Everton                11               0      

Burnley                7                 0

Edhe pas ardhjes së Moyes, ai nuk arriti të fitonte besimin e stafit teknik. Me Evertonin që vuante edhe mungesat e Dominic Calvert-Lewin, klubi nuk mund të rrezikonte të mbështetej tek një lojtar kaq shpesh i dëmtuar.

Burnley tani vuan pasojat e një tjetër dëmtimi të Brojës, ndërkohë që Evertoni ka dy sulmues të disponueshëm rregullisht, Beto dhe Barry. Me ngjarjet e fundit, vendimi për të mos e blerë Brojën duket më i drejtë se kurrë.