Konflikt ushtarak me NATO-n? Moska i përgjigjet Pistorius: S’ka më dyshime se kush është agresori!

Gjermania dhe Rusia kanë ashpërsuar tonet me akuza ndaj njëra-tjetrës, lidhur me nxitjen e një konflikti të ri ushtarak me NATO-n.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, iu përgjigj komenteve të fundit të Ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, se një konflikt ushtarak midis NATO-s dhe Rusisë mund të shpërthejë deri në vitin 2029.

"Nuk ka më asnjë dyshim se kush është agresori", tha  zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse për TASS.

Më 15 nëntor, në një intervistë me gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, Pistorius paralajmëroi se një përballje midis Rusisë dhe NATO-s, mund të ndodhë para fundit të kësaj dekade.

"Tradicionalisht e kemi përmendur vitin 2029 si një afat kohor të mundshëm, por vlerësimet aktuale sugjerojnë një mundësi që në vitin 2028. Disa analistë ushtarakë pohojnë se mund të kemi përjetuar verën tonë të fundit paqësore", vërejti ministri.

Ai theksoi më tej se aleanca mban "aftësi të forta parandaluese", duke përfshirë forcat bërthamore.