SYRI TV/ Rama në Bruksel, BE kërkon përshpejtim të reformave dhe bashkëpunim me opozitën

Në Bruksel u hap sot grupkapitulli i fundit i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, një fazë që konsiderohet ndër më vendimtaret e procesit. Përfaqësues të BE-së theksuan se sfida më e madhe tashmë mbetet mbyllja e kapitujve, e cila kërkon ritëm më të shpejtë reformash dhe bashkëpunim politik të gjerë.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp. Kos u shpreh se Shqipëria duhet të përshpejtojë disa reforma kyçe dhe nënvizoi se “puna më e vështirë sapo nis”. Ajo theksoi se procesi i integrimit kërkon bashkëpunim të ngushtë me opozitën në Kuvend, duke i bërë thirrje qeverisë që të sigurojë dialog politik gjithëpërfshirës.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre, vend që mban Presidencën e radhës së BE-së, deklaroi se Shqipëria ka ende shumë punë përpara dhe se ky moment kërkon përgjegjshmëri të lartë institucionale.

Deklaratat e Ramës dhe reagimi i Komisionit

Gjatë konferencës, kryeministri Rama u shpreh me ironi se qeveria e tij gëzon “shumicë si në kohën e komunizmit”. Komisionerja Kos, në një përgjigje të drejtpërdrejtë, i kujtoi kryeministrit rëndësinë e rolit të opozitës dhe nevojën për bashkëpunim institucional në funksion të integrimit europian.

Dhurata e verës dhe polemikat

Në fund të konferencës, Rama i dhuroi Komisioneres Kos një shishe vere të personalizuar, që sipas tij është prodhim shqiptar. Gjesti u shoqërua me polemika, pasi vera është përmendur edhe më herët në debatin publik pas akuzave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, se në zyrën e kryeministrit konsumoheshin shishe me çmime mbi 33 mijë euro në shoqëri me biznesmenë të fuqishëm.

Mungesa e zv.kryeministres Balluku

Në këtë ngjarje të rëndësishme mungoi zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila aktualisht përballet me çështje të hapura në SPAK. Ajo nuk e pasqyroi takimin as në rrjetet e saj sociale, ndryshe nga pjesa tjetër e kabinetit qeveritar që e promovoi aktivitetin në Bruksel.