Haaland fenomenal, por ende është larg rekordit të një… iraniani

Norvegjia po jeton ditë historike dhe të lumtura. 27 vjet pas pjesëmarrjes së fundit në një Botëror, vendi i fjordeve siguroi kualifikimin për edicionin e ardhshëm të Kupës së Botës, duke mposhtur Italinë me rezultatin 4-1 në ‘San Siro’ dhe duke siguruar një vend në shortin që do të zhvillohet më 5 dhjetor në Washington DC.

Njëri prej protagonistëve kryesorë të këtij suksesi ishte Erling Haaland, sulmuesi i Manchester City-t, i cili vazhdon të shkëlqejë edhe me përfaqësuesen e Norvegjisë. Në Milano, 25-vjeçari shënoi dy gola dhe arriti në 16 gola në kualifikueset europiane për Botërorin, duke barazuar rekordin kontinental të Robert Lewandowski-t, i cili gjithashtu shënoi 16 herë në rrugën për Botërorin 2018.

Megjithatë, duke u zhvendosur në kontinente të tjera, ka pasur edhe tre lojtarë të tjerë që arritën 16 gola në një fazë kualifikuese: Ahmed Khalil (Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe Mohammed Al-Sahlawi (Arabia Saudite), të dy për Botërorin 2018, dhe Archie Thompson (Australi) për Botërorin 2002.

Por, këto shifra nuk përbëjnë rekordin absolut. Në kualifikueset për Botërorin 1998, të fundit ku luajti Norvegjia, një golashënues i pazakontë arriti 19 gola: Karim Bagheri, ish-sulmues iranian. Ai shënoi gjithsej 50 gola në 87 ndeshje ndërkombëtare, ndërsa në nivel klubesh pati një karrierë më modeste, duke luajtur për Tractor, Keshavarz dhe Persepolis në Iran, si dhe Arminia Bielefeld (Gjermani), Al-Nasr (Emiratet), Charlton (Angli) dhe Al Sadd (Katar).

Pra, megjithëse Haaland është fenomenal dhe ka thyer shumë rekorde, ende nuk ka arritur të tejkalojë të gjitha rekorde historike të kualifikimeve për Botëror.