Marrëveshje për AP dhe GJK me Ramën, Bardhi: Asnjë pazar në kafene, ja ku do të bëhen diskutimet...
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si të korruptuar dhe të painteresuar për hallet e qytetarëve. Gjatë një konference për mediat, Bardhi deklaroi se mazhoranca po bllokon qëllimisht debate thelbësore në Kuvend, si ai për mungesën e ilaçeve në spitalin onkologjik apo për caktimin e minimumit jetik.
Sipas tij, arsyeja e vetme pas këtyre bllokimeve është se “qeveria e korruptuar e Edi Ramës nuk ka në fokus interesin e qytetarëve, por ka në fokus vetëm miratimin nga ky kuvend të projekteve korruptive që fryjnë xhepat e zyrtarëve të korruptuar”.
I pyetur në lidhje me zërat për një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe për Avokatin e Popullit, Bardhi i hodhi poshtë kategorikisht, duke i quajtur “thashetheme”. Ai sqaroi se kandidatja e përmendur, Sonila Bejtja, është tërhequr tashmë nga gara për shkak të papajtueshmërisë me funksionin aktual.
Më tej, ai vendosi një vijë të kuqe të qartë për çdo lloj negociate jashtë institucioneve. “Sa kohë unë të jem kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, nuk ka për të patur asnjë bisedim në kafenetë e Kuvendit,” theksoi Bardhi.
Ai këmbënguli se çdo diskutim duhet të zhvillohet në mënyrë transparente brenda organeve të Kuvendit, siç është Konferenca e Kryetarëve, ku çdo bisedë regjistrohet, dokumentohet dhe i bëhet publike opinionit. Duke cituar Raport Progresin e BE-së, Bardhi argumentoi se zgjedhjet jashtë formateve transparente kanë çuar në një politizim të shtuar të institucioneve të pavarura, një problem që, sipas tij, e konfirmon edhe Brukseli.
Në mbyllje, kreu i grupit demokrat ritheksoi se nuk do të ketë kurrë biseda në kafene, por vetëm diskutime formale dhe transparente në institucionet e Kuvendit.
Gazment Bardhi: Cili është motivi që deputetët e grupit parlamentar të PS-së votuan javën e shkuar kundër mocionit për të diskutuar për mungesën e ilaçeve në spitalin onkologjik? Cila është arsyeja që ne nuk lejohemi të diskutojmë për caktimin e minimumit jetik? Cila është arsyeja që ne nuk lejohemi të diskutojmë për luftën ndaj krimit të organizuar? Arsyeja është një dhe vetëm një, sepse qeveria e korruptuar e Edi Ramës nuk ka në fokus interesin e qytetarëve, por ka në fokus vetëm miratimin nga ky kuvend të projekteve korruptive që fryjnë xhepat e zyrtarëve të korruptuar. Po.
Pyetje nga gazetarët: Zoti Bardhi, ju jeni në një situatë të të një bashkëpunimi, ose përpjekje për situatën mes anëtarëve të opozitës. Ndërkohë këto ditë ka një diskutim nëse do të ketë një histori kushtetuese, që ka një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste që të konsiderohet kryetari i ri i Gjykatës Kushtetuese znj. Sonila Bejtja dhe një emër i ri për avokatin e popullit. Është e vërtetë?
Gazment Bardhi: E nderuar, unë mendoj që nuk është etike që ne të sjellim në konferencë thashetheme. Personi që ju sapo... do t'jua shpjegoj se nuk është zyrtarisht kandidate. Prandaj pyetja është një thashethem. Zonja Sonila Bejtja, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ka njoftuar komisionet parlamentare për tërheqjen e saj nga gara, menjëherë sapo gara është shpallur, për shkak se ka papajtueshmëri me funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Në atë email që i është vënë në dispozicion deputetëve, personi në fjalë argumenton që nuk ka menduar që procedura do të përfundonte në një afat kaq të shpejtë, pra ka gjykuar që procedura do të merrte kohën e vet dhe mund të korrespondonte me mbarimin apo largimin e saj nga detyra, prandaj ka shprehur dhe interes. Për pasojë, nuk ka asnjë marrëveshje të tillë. Sikundër dua të sjell në vëmendjen tuaj që edhe në legjislaturën e shkuar, Avokati i Popullit nuk është zgjedhur me konsensus, për një arsye të vetme, se sa kohë unë të jem kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, nuk ka për të patur asnjë bisedim në kafenetë e Kuvendit. Kam kërkuar dhe dhe në procedurat që janë hapur, do të kërkoj që çdo diskutim të bëhet në organet e Kuvendit, ku çdo bisedë regjistrohet, dokumentohet dhe sigurisht i bëhet transparencë e plotë opinionit publik. Unë kam propozuar si format edhe në garën e shkuar dhe shkresat janë zyrtare, që diskutimet të zhvillohen mes palëve politike në Konferencën e Kryetarëve, ku ne do të duhet të gjejmë një formulë transparente se si do të bëhet përzgjedhja e titullarëve të disa institucioneve kushtetuese apo të pavarura të krijuara me ligj.
Sjell në vëmendjen tuaj atë që thotë në fakt edhe Raport Progresi, që për shkak se zakonisht zgjedhja bëhet jashtë formateve transparente të organeve të Kuvendit, ne kemi një politizim të shtuar të titullarëve apo institucioneve të pavarura. Dhe këtë nuk e thotë më opozita, e thotë Raport Progresi që në faqen e tij të parë, për politizimin e institucioneve të pavarura që zgjedh Kuvendi. Dhe kjo vjen për shkak të kësaj fryme që mazhoranca propozon biseda në kafene dhe jo në institucionet e Kuvendit. Sa të jem unë kryetar i grupit parlamentar të PD-së, nuk ka për të pasur kurrë asnjë bisedë në kafene. Në institucionet e Kuvendit, po.