Liverpool-i bën ofertën e fundit për Konate mes interesimit të Real Madridit

E ardhmja e Ibrahima Konate në “Anfield” po hyn në fazën vendimtare. Sipas raportimeve të fundit, Liverpool-i i ka paraqitur qendërmbrojtësit francez ofertën përfundimtare për rinovimin e kontratës, por 26-vjeçari ende nuk ka dhënë një përgjigje.

Kontrata e Konate-së skadon në fund të këtij sezoni dhe lojtari ka shprehur hapur interesin për t’u bashkuar me Real Madridin si lojtar i lirë, duke ndjekur shembullin e Kylian Mbappé-së. Liverpool-i, nga ana tjetër, po tenton me çdo kusht ta mbajë, madje i ka ofruar një kontratë të majme që do ta rendiste ndër lojtarët më të paguar të skuadrës.

Raportimet nga Franca sugjerojnë se prioriteti aktual i Real Madridit është afrimi i Dayot Upamecano-s, por zgjedhja e Konate-së pritet të jetë vendimtare në javët e ardhshme. Duke nisur nga muaji janar, mbrojtësi francez ka të drejtë të nisë bisedimet për një parakontratë me çdo klub tjetër.

Liverpool-i pret përgjigjen e tij, ndërsa merkatoja e dimrit mund ta kthejë çështjen ‘Konate’ në një nga sagat më të nxehta të vitit.