Shërbimi Sekret i policisë nis hetimin për operacionin e madh në Don Bosko: U rrezikua jeta e policëve

SHÇBA (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat) ka nisur një hetim për veprimet e policisë natën e mbrëmshme në operacionin e bujshëm në Don Bosko.Gjatë  operacioni kundër një grupi të dyshuar si shpërndarës kokaine, ka rrezikuar edhe jeten e një polici, sepse të dyshuarit ishin të armatosur dhe kundërshtuan ndalimin. Për këtë rast Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka nisur verifikimet për mënyrën se si është planifikuar aksioni.

Mësohet se do të kontrollohen dhe verifikohen veprimet e policisë, pasi ka pasur dhe të shtëna në ajër, nga të cilat ka mbetur i plagosur lehtë i dyshuari kryesor i grupit. Sipas policisë të shtënat kanë qenë në ajër dhe ndaj gomave, por jo ndaj tij.

“Shtetasi Blendi Peca është konstatuar nga shërbimet e policisë duke lëvizur me mjetin tip ‘Citroen’, në zonën e ‘Don Boskos’. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij për të bërë ndalimin e mjetit. I është bërë shenja e ndalimit nga punonjësit e policisë të veshur me jelekun multifunksional me mbishkrimin ‘Policia’, por mjeti nuk ka ndaluar, ka kryer manovra lëvizjeje të rrezikshme për jetën e punonjësve të policisë. Në këto kushte punonjësit e policisë kanë nxjerrë armën e brezit dhe kanë qëlluar në ajër duke dhënë përsëri urdhër ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur, ka vijuar tentativën për t’u larguar. Punonjësit e policisë kanë shënjestruar dhe qëlluar gomat e mjetit dhe kur janë afruar kanë vënë re se është plagosur lehtë, drejtuesi i mjetit, shtetasi Blendi Peca, 27 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”,  deklaroi zyrtarisht policia.

Ndërsa SHÇBA do të verifikojë nëse veprimet e Policisë kanë qenë të rregullta dhe konform ligjit. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjet, është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e cila rezultoi e peshës 385 gramë.