Gjermania do të heqë kufizimet për eksportin e armëve në Izrael

Gjermania do të heqë embargon e pjesshme për eksportet e armëve në Izrael që nga 24 nëntori, tha për DPA-në zëdhënësi i qeverisë Stefan Kornelius.

Armëpushimi midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, në fuqi që nga 10 tetori, është një arsye kryesore për heqjen e ndalimit. Kornelius tha se armëpushimi është "stabilizuar në javët e fundit".

Zëdhënësi përmendi gjithashtu përpjekjet për të arritur një paqe të qëndrueshme, dhe rritjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.

Qeveria gjermane është e vendosur të "rikthehet në shqyrtimin e çdo rasti individualisht dhe t'u përgjigjet zhvillimeve të mëtejshme" kur bëhet fjalë për eksportet e armëve, tha ai.

Në fillim të gushtit, kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi pezullimin e eksporteve të armëve në Izrael që mund të përdoren në Rripin e Gazës "deri në njoftim të mëtejshëm", duke shënuar një ndryshim të madh në politikën e jashtme gjermane.

Ky veprim erdhi disa orë pas vendimit të qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionet ushtarake në territorin bregdetar.

Kjo përfaqësonte një ndryshim të rëndësishëm për Berlinin, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Izraelit që nga sulmet e pashembullta të 7 tetorit 2023 ndaj komuniteteve izraelite nga terroristët e Hamasit.