Rruga e vdekjes në Fier: 1 kilometër pa trotuar, pa ndriçim dhe pa siguri për këmbësorët
Një kilometër rrugë që lidh qytetin e Fierit me lagjet Zhupan, Drizë dhe Peshtan i Vogël është kthyer ndër vite në një burim aksidentesh, shpesh me pasoja fatale. Ky segment, pjesë e aksit nacionale Fier–Levan, përshkohet çdo ditë nga mijëra automjete, ndërsa banorët që lëvizin në këmbë ose me biçikleta përballen me një rrezik të vazhdueshëm.
Mungesa e trotuareve, sinjalistikës dhe ndriçimit e bën kalimin jashtëzakonisht të rrezikshëm, veçanërisht në orët e mbrëmjes. Banorët shprehen se çdo ditë e kanë me risk, pasi makinat ecin me shpejtësi dhe ata nuk kanë asnjë mbrojtje.
Historikisht, rruga ka qenë pa trotuare dhe pa ndriçim, por gjendja ka shkuar drejt përkeqësimit. Segmenti, që më parë kishte gjerësi 8 metra, sot është ngushtuar në 6 metra, duke e bërë kalimin akoma më të rrezikshëm.
Banorët theksojnë se pas zgjedhjeve politikanët nuk kujtohen më për ne, ndërsa mungesa e investimeve dhe ndërhyrjeve të institucioneve e bën rrugën një kërcënim të vazhdueshëm për jetën e tyre.
Në këtë aks kanë ndodhur vazhdimisht aksidente rrugore, disa prej të cilëve me pasoja tragjike, por asnjë institucion nuk ka ndërhyrë për të vendosur ndriçim, sinjalistikë apo trotuare mbrojtëse. Rreth 3 mijë banorë që përdorin këtë segment çdo ditë mbeten të pambrojtur, ndërsa frika dhe shqetësimi janë pjesë e përditshmërisë së tyre.
Banorët apelojnë për një ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të vendosur trotuare, ndriçim publik dhe tabela paralajmëruese, duke kërkuar që të mos presin viktima të tjera përpara se të sigurojnë një rrugë të sigurt. Ata shprehen se duan një rrugë që garanton sigurinë e jetës së tyre çdo ditë, dhe jo një rrugë që vazhdon t’i rrezikojë.