Banorët bllokojnë aksin Qukës-Qafë Plloçë, kundërshtojnë mbylljen e rrugës, përplasen me shoferët. Ndërhyn policia
Banorët e fshatit Kalivaç kanë bllokuar për rreth 10 minuta aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, duke penguar qarkullimin e dhjetra mjeteve në të dyja krahët.
Në vendin e ngjarjes ka pasur edhe disa përplasje të lehta midis banorëve dhe drejtuesve të mjeteve.
Protesta e tyre vjen pas vendimit për mbylljen e rrugës ekzistuese që lidh tre fshatra me aksin e ri Qukës-Qafë Plloçë. Ndërsa inxhinierët argumentojnë se dalja në këtë rrugë përbën rrezik për aksidente, banorët e shohin atë si të domosdoshme, pasi lidh fshatin jo vetëm me rrugën kryesore, por edhe me tokat dhe aktivitetet bujqësore.