Rama e pranon në Bruksel se e ka kthyer vendin në komunizëm, Kos: Suksesi i vërtetë është mbyllja e kapitujve

Edi Rama pranoi në Bruksel se Shqipëria është kthyer në komunizëm.

Gjatë një fjalimi të çuditshëm në një konferencë për shtyp, Rama tha se në Shqipëri kanë një shumicë si në komunizëm.

“Ne kemi një shumicë si në kohët komuniste, ishte njësoj edhe në perandorinë osmane, ne u jemi besnik perandorive, kjo është e para perandori me të cilën duam të jemi, kjo shumicë është ndryshe, jo vetëm në shifra, por në thelb, ishim të gjithë kokë e këmbë pas osmanëve, sovjetikëve, por kokë e këmbë për shkak të imponimit, kurse kjo është me zgjedhje, ja pse Maria e kuptoi pse nuk u shpëton dot Shqipërisë. Më mirë të na marrin brenda se nëse jo do i përndjekim deri në fund, nëse duan të na heqin qafe, duan të na marrin me vete”, tha Rama.

Kurse komisionerja e zgjerimit, Marta Kos tha se hapja e kapitujve të integrimit është sukses, por suksesi i vërtetë është mbyllja e tyre.

“Ky është rezultat i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe i mbështesin këto ndryshime. Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit. Kur jepni rezultate, ecni përpara. Jeni frymëzim për Ballkanin Perëndimor. Çelja e të gjithë grup-kapitujve është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi real. Suksesi real është se sa shpejt miratoni dhe zbatoni legjislacionin", shtoi Kos.