'Varfëria, aleati i qeverisë', Dedaj: PPP-të janë thembra e Akilit të kryeministrit, PD barrikada e fundit

I ftuar në emisionin Kafe Shqeto, gazetari Reldar Dedaj foli mbi situatën e rëndë politike dhe ekonomike në vend, ku u shpreh se sistemi mazhoritar ka dobësuar seriozisht demokracinë dhe ka krijuar një realitet autokratik ku zërat kritikë janë shuar pothuajse plotësisht.

 Dedaj theksoi se mungesa e debatit intelektual, dorëzimi i shoqërisë civile dhe kapja e medias nga pushteti kanë bërë që Partia Demokratike të mbetet e vetmja siguresë institucionale dhe politike kundër regjimit të ngritur gjatë 12 viteve të fundit. Sipas tij, sulmet sistematike ndaj PD-së janë të qëllimshme, pasi ajo përbën barrikadën e fundit ndaj instalimit të autokracisë .

Ai theksoi se varfëria është aleati më i madh i kësaj qeverie, ndërsa modeli ekonomik i bazuar te PPP-të dhe koncesionet përbën “Thembrën e Akilit” të kryeministrit, pasi ka çuar në vjedhjen sistematike të parave publike dhe varfërimin e shqiptarëve.

Duke nënvizuar se PD-ja nuk është parti e një individi, por e 550 mijë votuesve, Dedaj bëri thirrje që opozita të shërbejë si zëri i qytetarëve dhe të ndërtojë një rezistencë të gjerë për të ndalur autokracinë dhe për të rikthyer demokracinë funksionale në vend.

Pjesë nga deklarata:

Ky sistem i mazhorancës ka arritur ta dobësojë nivelin e demokracisë në vend, por po e mban në lojë. Dhe kjo është një nga fuqitë më të mëdha. Më thoni një gjë, po ju bëj një pyetje retorike. Këtu ke universitete private, ke për shembull Universitetin e Ekonomisë të Shtetit. Nuk është bërë një konferencë shkencore për modelin ose rrugën se si duhet ta ndjekë ekonomia shqiptare. Ne këtu e kemi bazuar gjithçka mbi PPP dhe koncesione. Këtu s’ka prodhim. Por të bëhet një sqarim për opinionin publik, si intelektualë. Grupet e intelektualëve, ku i ke zërat, zërat kundër? Ku i ke shoqatat?

Në kritika, kundër flas për politikat që ndjek. Ku i ke shoqatat, shoqërinë civile, mediat? Janë dy-tre media në Shqipëri që po bëjnë një tentativë për t’i rezistuar kësaj autokracie. Pra i gjithë sistemi që mund të vinte në kontroll këtë kryeministër apo këtë sistem të kësaj autokracie është rrëzuar. Siguresa e vetme është Partia Demokratike. Të gjithë zërat alternativë në këtë shoqëri, të gjithë zërat alternativë që vijnë dhe e kundërshtojnë sistemin që ka ngritur prej 12 vitesh kjo qeverisje, vijnë nga kjo forcë politike.

Duket sikur ka një lehtësi për ta kundërshtuar PD-në në çdo hap. Po patjetër, sepse, dëgjo, kur je në sistemin opozitar edhe opozitarizmi i gjatë, pa diskutim, të vë në grykën e topit. Autokracia t’i squll të gjitha instrumentet që mund ta kundërshtosh këtë gjë. Prandaj shoqëria duhet ta kuptojë, qytetarët shqiptarë duhet ta kuptojnë dhe Partia Demokratike veçanërisht duhet ta kuptojë e para dhe t’i mëshojë shumë fort këtij roli të saj në shoqëri, që është e vetmja barrikadë që po i bën skicimit të plotë ose skicimit drejt përfundimit të skenarit të plotë për të instaluar në mënyrë përfundimtare autokracinë në vend. Nuk flitet më pastaj për vjedhje. Nuk do të flitet për vjedhje.

Ai e ka shndërruar në sistem prone, sepse të gjithë ministrat, njerëzit që vijnë, kanë fytyrën e atij: në botëkuptim, në mënyrën se si sillen... Ju e shihni raportin që ka me pushtetet. Doktori tha pak më parë, tha që jeta parlamentare këtu ka rënë. Pa diskutim që nuk flitet më, sepse cili është instrumenti në dorë që ka opozitarizmi? Ose opozita në parlament? Janë komisionet hetimore. Komisionet hetimore, me fuqinë e kartonave, ai t’i neutralizon. T’i bën të pavlefshme, nuk t’i pranon fare. Pra, më thuaj çfarë mekanizmi ka? Po do të shkohet pa diskutim tek rruga. Por do të shkohet tek rruga si alternativë, atë që po vepron Partia Demokratike, dhe unë jam shumë i kënaqur që po shkon drejt krijimit të një alternative në bashkëpunim me qytetarët dhe me grupet e caktuara të interesit, për të krijuar aleatë. Ne kemi grupe interesi, pa diskutim. Janë grupe që nuk bien dakord me Partinë Demokratike, me mënyrën se si organizohet Partia Demokratike. Po ama janë në një llogore me këtë qeverisje, le t’i bashkohen. Kjo është pluralizmi i ideve, i mendimit, i kritikës ndaj një qeverie, dhe Partia Demokratike po u jep shansin, mundësinë që të gjithë këta njerëz të bashkohen në thirrjet për ndryshim të kësaj qeverie: në interes të qytetarëve shqiptarë, në interes të grupeve të tyre të interesit. Prandaj po i jep një impuls, jo vetëm mbajtjes në lojë të rregullave të demokracisë, por po i jep një impuls edhe shoqërisë për të reaguar.

Duhet të kuptojmë: ne jemi në një marrëdhënie gjeopolitike. Ne nuk mund ta shohim veten jashtë kësaj marrëdhënie gjeopolitike. Ne nuk mund të tentojmë të krijojmë një rrymë ose t’i kapim… edhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm: nuk rrëzohet me dhunë ky individ. Ky rrëzohet duke i bindur qytetarët, duke u dhënë kurajën qytetarëve që të votojnë dhe të mbrojnë votën e tyre. Instrumentet i ka Partia Demokratike për ta mbrojtur votën e tyre. Problemi është që qytetarët i shmangen kërcënimit. Aleati më i madh i kësaj qeverie, dhe duhet ta kuptojnë, është varfëria. Ju keni parë reforma: 12 vite reforma. Këtu s’ka reforma, por ka aksione dhe po i shesin si reforma. Por qytetarët, në fund të fundit, në llogarinë e tyre janë të njëjtët. Madje, madje prej 12 vitesh janë vetëm të varfëruar. Dhe aleati më i madh i kësaj qeverie është varfëria. Dhe Partia Demokratike ka nevojë të propozojë alternativën e vet.

Ata nuk kanë identitet. Fatkeqësisht kjo qeverisje nuk ka ideologji. Nëse ka një problem shumë të madh, përveç hajdutllëkut dhe jetës që ua kanë nxirë qytetarëve, është mungesa e identitetit. Kjo lloj mazhorance, sepse një qeverisje e majtë nuk mund të ndërtojë gjithë sistemin ekonomik mbi PPP dhe koncesione. I gjithë “luani i buxhetit” të shtetit shkon te PPP dhe koncesionet. Si ka mundësi të mbajmë ekonominë dhe të mbajmë bizneset e mëdha me lekët e taksapaguesve? Ne duhet të ndërtojmë ekonominë te prodhimi, sepse prodhimi e çliron vendin nga oligarkia, rrit vetë nivelin e demokracisë. Prandaj Partia Demokratike, demokracia lokale dhe ajo qendrore, mbron institucionet, krijon mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve. Në këtë model ekonomik edhe Partia Demokratike ka nevojë të godasë aty ku është thembra e Akilit, dhe impotenca e këtij kryeministri është pikërisht tek ekonomia. Këtu e ka impotencën. Ky, prandaj është shumë i dobët po ta shohësh. Është mënyra se si e trajtojnë mediat, sepse një ekonomi që ndërtohet mbi koncesionet dhe mbi PPP-të është një ekonomi që i vjedh qytetarit lekët. Prandaj këtu ka nevojë që qytetarët ta kuptojnë rëndësinë e tyre në këtë shoqëri dhe të kuptojnë si po vidhen dhe si po grabiten, dhe cila do të jetë mënyra për t’i mbrojtur ato. Prandaj e ka detyrë opozita për t’u artikuluar në këtë formë, për të ndërtuar vërtet një alternativë. Nuk mund të goditet PD-ja në emër të luftës ndaj një individi. Partia Demokratike nuk është partia e një individi; është partia e 550.000 njerëzve, të cilët po mbajnë në lojë llogoren ndaj autokracisë. Janë 550.000 votues në gjithë Republikën e Shqipërisë, të cilët janë në kundërshtim flagrant, drejtpërdrejt, me këtë mazhorancë socialiste.