SYRI TV/ 'Skampis' në Elbasan për të 2-in vit radhazi, disa piktura i dhurohen galerisë së arteve

Pika turistike e Byshekut në Elbasan është pushtuar nga piktorët e “Skampis” për të dytin vit radhazi. Mbi 20 piktorë nga trojet shqipfolëse hedhin në telajo magjinë e vjeshtës nga ky atraksion turistik, në këtë aktivitet 4-ditor.

Për të dytin vit radhazi në Elbasan mbahet kolonia e piktorëve “Skampis 2025”. Mbi 20 piktorë nga trojet shqipfolëse, për 4 ditë, do të pikturojnë atraksionet turistike dhe pamjet më të veçanta që kjo zonë të fal. Gjatë ndalesës në pikën turistike të Byshekut, ata sollën me penelin e tyre mbi telajo magjinë e ngjyrave të vjeshtës.

Aktivitete të tilla jo vetëm u krijojnë vetë artistëve mundësinë të shkëmbejnë eksperienca mes tyre, por shërbejnë edhe për turizmin, duke promovuar resurset dhe potencialet natyrore të zonës. Disa prej pikturave të realizuara do t’i dhurohen fondit të Galerisë së Arteve, e cila do të hapet në Elbasan në hollin e Teatrit “Skampa”.