Italia shpall thirrjen për magjistratin ndërlidhës pranë Republikës së Shqipërisë; afati i fundit i kandidimit 28 nëntor 2025

Italia ka hapur zyrtarisht procedurat për përzgjedhjen e magjistratit ndërlidhës pranë Republikës së Shqipërisë, një pozicion i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit gjyqësor mes dy vendeve. Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Drejtësisë së Italisë, aplikimet duhet të dorëzohen deri më 28 nëntor 2025. Thirrja bëhet në zbatim të Dekretit të Ministrit të datës 23 nëntor 2016, i cili rregullon procedurat për caktimin e detyrave ndërkombëtare për magjistratët italianë.

Të drejtë aplikimi kanë magjistratët, gjyqtarë ose prokurorë, të cilët aktualisht ushtrojnë funksione gjyqësore ose ndodhen jashtë rolit organik. Kandidatët duhet të kenë përfunduar vlerësimin e tretë të profesionalizmit dhe të kenë një përvojë efektive prej të paktën dhjetë vitesh në detyrat e magjistraturës. Gjithashtu kërkohet përvojë specifike në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, si në çështjet civile, ashtu edhe në ato penale. Njohja e shkëlqyer e gjuhës angleze është një kërkesë thelbësore, ndërsa pozicionet profesionale ndërkombëtare të mëparshme përbëjnë një element vlerësimi shtesë, raporton për Syri TV gazetarja Alba Kepi.

Mandati i magjistratit ndërlidhës është njëvjeçar dhe mund të rinovohet. Pozicioni përfiton nga trajtimet e zakonshme të misionit, sipas parashikimeve të D.M. 23 mars 2011, dhe veprimtaria kryhet pranë Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, që është edhe vendi zyrtar i shërbimit.

Kandidatët duhet të dorëzojnë deklaratën e disponueshmërisë, kurrikulumin personal dhe deklaratën e shprehur të pëlqimit për kalimin jashtë rolit. Dokumentacioni duhet të dërgohet pranë Ministrisë së Drejtësisë, Kabineti i Ministrit, përmes mënyrave të përcaktuara në njoftimin zyrtar.