Rruga, e vetmja mundësi e PD-së për të shkuar tek qytetari

Nga Reldar Dedaj/

Kushdo që merret, apo është marrë sadopak me politikë, ose edhe që s’është marrë me të, por është mësues në ndonjë shkollë fshati, ose shkruan kohë pas kohe ndonjë shënim në rrjetin e tij social, i ka rënë rasti të pyetet në ndonjë kafe: “Kur do të rrëzohet Rama?” Më shumë se askujt tjetër, një pyetje e tillë i është bërë Sali Berishës. Ndoshta edhe më e drejtë. Mirëpo, siç kuptohet, shqiptari i zakonshëm këtë pyetje nuk e bën me ironinë e inteligjencës provinciale të Tiranës, por me gjithë seriozitetin që i takon një pyetjeje të tillë dhe, po ashtu pret përgjigjen që meriton për pyetjen e vet. Shpeshherë pyetësi ka kërkuar edhe përcaktimin kohor, vitin, etj., se “kur do të fitojmë”.

Në mungesë të një debati demokratik, në mungesë të kushteve për të sqaruar simpatizantët dhe qytetarët e vendit, në mungesë të funksionit të jetës parlamentare në vend, në mungesë të zgjedhjeve të lira e të drejta, në mungesë të shtetit dhe të demokracisë, Partisë Demokratike dhe veçanërisht Sali Berishës nuk i ka ngelur asnjë rrugë tjetër, përveç improvizimit të një foltoreje politike. Synimi i saj i vetëm është të sjellë të pacensuruar jetën parlamentare dhe politike në rrugë, aty ku janë edhe simpatizantët e kësaj force politike, por edhe qytetarët e thjeshtë të vendit.

Krijimi i një agore me qëllimin e vetëm për të informuar dhe sqaruar qytetarët do t’i krijonte Partisë Demokratike kushtet për t’u shndërruar nga një realitet administrativ, siç ka qenë deri më tani, në një realitet politik siç kërkon të bëhet. Duke zbritur në rrugë, partia ka mundësi të shkojë tek qytetari, tek problemi, tek shqetësimi, tek kriza dhe tek dështimi. Në këtë rrugëtim, siç mund të merret me mend, nuk do prekë vetëm problemet e shumta të njeriut, por edhe idetë e tij, zgjidhjet dhe shpresat që i mbajnë ata gjallë dhe në këmbë përballë këtij regjimi prej dymbëdhjetë vitesh.

Opsioni i vetëm i Partisë Demokratike është të kthehet në alternativë për shumicën e qytetarëve. Por në një mjedis të kontaminuar politik, ku ekstremet politike shkojnë drejt skajeve, krijimi i një alternative të tillë duket i pamundur. Ndoshta për shkak të kësaj ideje, dhe jo vetëm të kësaj, por edhe shumë të tjerave si këto, për të mbijetuar politikisht në kushte ekstreme, nevoja e detyron këtë forcë politike jo vetëm të dalë në rrugë për të shkuar tek qytetari, por edhe të krijojë aleanca me segmente të tjera të shoqërisë. Pa këto aleanca, do ta kishte krejt të pamundur të shtrihej më shumë se sa hija e vet kryetarit të saj.

Rruga nuk është vetëm zgjidhja e kësaj force politike; ajo mund të jetë edhe e segmenteve të tjera shoqërore që nuk pajtohen me filozofinë e saj. Por urgjenca për ndryshim, frika ndaj regjimit, shtrenjtimi i jetesës dhe i strehimit, kushtet aspak të mira të sistemit shëndetësor dhe arsimor në vend, problematikat e shumta mjedisore, niveli i lartë i korrupsionit, kapja e mediave dhe propaganda mund t’i detyrojnë këto segmente shoqërore, që nuk pajtohen me Partinë Demokratike, të dalin në rrugë dhe t’i shtohen korit të thirrjeve për ndryshim politik në vend. Një qeverisje e gjatë, edhe nëse do ishte e mirë, përsëri do ishte e keqe për nivelin e demokracisë, për pluralizmin politik, garën dhe krijimin e kushteve për shanse të barabarta në konkurrim.

Për këto arsye, dhe për shumë të tjera, duhet shkuar atje. Partia Demokratike është rojtarja e vetme që po mban deri më tani egon e Edi Ramës dhe pengon përfundimisht ndërtimin e Shqipërisë autoritare të tij. Kjo nuk është një fantazi, as një ëndërr e thurur në beze, pasi vende me kulturë më të konsoliduar politike, intelektuale dhe shtetformuese se sa ne, për shkak të qeverisjes së gjatë të një individi, kanë rënë nën thundrën e autokracisë. Serbia e Ivo Andriçit iu nënshtrua egos politike të Aleksandar Vuçiçit, ashtu si Turqia e Orhan Pamukut iu nënshtrua “sulltanit” Erdogan. Raste të tjera ka plot. Por ajo që vlen të theksohet është se kjo forcë politike, aq sa po reziston, ndoshta në formën më të papërshtatshme dhe më të keqe të mundshme, është e vetmja garanci për ekzistencën e një sistemi pluralist real në vend.

Qytetarët duhet ta kuptojnë, nëse ende s’e kanë kuptuar, se mediat në vend po përballen me një presion gjithnjë e më të madh për të pakësuar hapësirën e lirisë së tyre. Gazetarët e pavarur, analistët, intelektualët, pedagogët dhe anëtarët e shoqërisë civile janë të gjithë, pa përjashtim, nën presionin e pushtetit. Hapësirat e mendimit të lirë mund të mbyllen, madje ndonjëherë edhe të dhunohen, duke i çuar dalëngadalë drejt zhdukjes. Mirë apo keq, aq sa po e bën, është Partia Demokratike ajo që ka marrë rolin e rezistencës intelektuale në shoqëri përballë mazhorancës aktuale. Forcat e tjera politike, apo edhe segmentet e ndryshme të shoqërisë, janë krejtësisht të padobishme për shkak të mjeteve të pamjaftueshme për t’iu kundërvënë këtij regjimi.

Politikanët e zhgënjyer shqiptarë, që kanë grisur barkun e PD-së dhe janë hedhur në anën e kundërt të vijës, nuk kanë asnjë të drejtë morale t’i japin mësim, këshilla apo vërejtje Partisë Demokratike. Ata nuk mund të sulmojnë ish-shtëpinë e tyre në emër të luftës ndaj Sali Berishës. Të paktën ky i fundit, në këto kushte emergjente, përpiqet me të gjithë fuqinë për t’i mbajtur gjallë qytetarët me çdo çmim. Këta të tjerët le ta bëjnë protestën e tyre nëse duan dhe munden, secili sipas fuqisë dhe ideve të veta. Shoqëria ka nevojë për protestën e të gjithëve. Ky do të ishte pluralizëm, pluralizmi i vërtetë që humbëm me entuziazmin që fituam në ’90-ën.

Megjithatë, ata që ndahen në armiq dhe miq të Sali Berishës, nuk duhet të harrojnë se asnjëherë tjetër nuk kemi parë Shqipëri më të mjerë, më të varfër, më të pashpresë dhe më depresive se kjo e sotmja. Të varfrit e kanë kuptuar pafuqinë e qeverisë për t’i shpëtuar nga varfëria. Ata e kanë ndjerë mbi kurriz shtrëngimin e meskinitetit, cinizmin, burokracinë e pashpirt, armiqësinë e administratës, propagandën televizive, vjedhjen e pasurive të përbashkëta, padrejtësinë, injorancën, frikën, pamundësinë dhe paaftësinë e shtetit për t’i nxjerrë nga balta e mjerimit.

Ata kanë ardhur duke u bërë më të varfër çdo ditë në dymbëdhjetë vitet e fundit. Dhe nuk kanë më shpresë. Nuk kanë më arsye të kenë shpresë dhe në këtë pikë janë të mirëkuptuar. Të varfrit nuk besojnë te reformat, nuk presin asgjë nga marrëveshjet ndërqeveritare, nga liria e fjalës, nga ndërkombëtarët, nga sistemi i drejtësisë, dhe as nga zgjedhjet. Sistemi në të cilin jetojnë ka një peshë krejt relative për mënyrën e tyre të jetesës. Ata jetojnë në rendin e mjerimit. Sepse të drejtën për të qenë i varfër nuk ta mohon asnjë rend.

Nga zgjedhjet e fundit, edhe nga ato të parafundit, mësuam se varfëria është aleati më i madh i qeverisë, pasi ajo mund të blihet lirë për t’u kthyer në vota, siç edhe ka ndodhur. Ata e kanë kuptuar se ndërhyrjet ligjore apo administrative nuk e zbutën varfërinë, nuk i ulën taksat për të varfërit, nuk hapën më shumë vende pune, nuk e zvogëluan borxhin, nuk e rritën ekonominë, nuk u kthyen në investime funksionale, por vetëm estetike, nuk i lehtësuan çmimet e mallrave, nuk i rritën subvencionet, nuk i shtuan pensionet, nuk e përmirësuan skemën e asistencës sociale, nuk e ndëshkuan korrupsionin, nuk i bënë spitalet më të lira, as shkollat më të mira. Prandaj, nëse reforma ka pasur, kjo nuk ka asnjë rëndësi për ta, sepse jeta e tyre e përditshme nuk ka pasur asnjë ndryshim.

Atyre u duhet rikthyer guximi për të shpresuar në ndryshim, por për të arritur deri këtu, PD ka nevojë të komunikojë hapur me qytetarin, dhe ku më mirë se rruga mund ta realizojë këtë?