EMRAT/ Plagosja në Shkodër, zbardhet dinamika, vihen në pranga dy autorët e ngjarjes

 

Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe ka vënë në pranga 2 prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së një nate më parë ndaj shtetasit Edison Tirana, i cili u qëllua me armë zjarri dhe u dhunua me sende të forta.

Në pranga kanë rënë vëllezërit Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj, banues në Malësi e Madhe, ndërsa nipi i tyre është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve paraprake, dy të arrestuarit dyshohet se qëlluan me armë zjarri drejt automjetit të 42-vjeçarit Edison Tirana, banues në Bërdicë, dhe më pas e kanë goditur fizikisht. 

Konflikti, sipas deklarimeve të 42-vjeçarit, ka nisur në doganën e Hanit të Hotit për shkak të një parakalimi mes dy automjeteve. Më pas, përplasja mes tyre është përshkallëzuar gjatë rrugës, ndërsa mjetet kanë vijuar të parakalojnë njëra-tjetrën shoqëruar me debat verbal.

Në afërsi të rrethrrotullimit të Koplikut, dy vëllezërit Gjekaj dyshohet se kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të makinës që drejtonte Tirana. Një prej plumbave ka goditur gomat e automjetit, duke bërë që 42-vjeçari të humbasë kontrollin dhe të përplaset në bordurën e një karburanti.

Pas aksidentit, ai ka tentuar të fshihet në një tokë aty pranë, por autorët e dyshuar e kanë ndjekur dhe e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar plagë në trup.

Edison Tirana u paraqit rreth orës 19:30 në spitalin e Shkodrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka dhënë deklarimin e tij në polici, duke sqaruar dinamiken e konfliktit që nisi për shkak të parakalimit.

Lexo edhe:  EMRI/ Plagë në kokë dhe trup, identifikohet shoferi ndaj të cilit u qëllua me armë në Shkodër

Njoftimi i Policisë:

Malësi e Madhe/ Kanosën me armë zjarri pistoletë dhe goditën me sende të forta një 42-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihen në pranga dy vellezër dhe shpallet në kërkim një 34-vjeçar.

 Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, si dhe 4 automjete.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin rrugor “Koplik – Shkodër” një shtetas ishte kanosur me armë zjarri, organizuan punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Gj. Gj., 63 vjeç, dhe P. Gj., 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Bajzë.

Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit dhe pas ndalimit në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Koplikut, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime shtetasit E. T.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.