FOTO/ Mijëra persona protestojnë kundër qeverisë në Meksikë, 120 të plagosur dhe 20 të arrestuar

Të paktën 120 persona, mes tyre rreth 100 policë janë plagosur gjatë përplasjeve në protestat antiqeveritare në Mexico City, njoftuan autoritetet policore.

Mijëra qytetarë marshuan të shtunën në kryeqytetin meksikan kundër krimit të dhunshëm dhe politikave të qeverisë së Presidentes Claudia Sheinbaum, raporton BBC.

Sheinbaum akuzoi se protestat, të cilat u zhvilluan edhe në qytete të tjera, janë financuar nga politikanë të krahut të djathtë që kundërshtojnë administratën e saj.

Tubimi u organizua nga grupe të rinjsh të gjeneratës Z, duke marrë mbështetje nga qytetarë të indinjuar për vrasjet e profilit të lartë, përfshirë atentatin ndaj kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Manzo, i cili u vra vetëm pak javë më parë pasi kishte kërkuar goditje të forta ndaj karteleve.

Protestuesit çmontuan pjesë të barrierës mbrojtëse përpara Pallatit Kombëtar, ku jeton Sheinbaum, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Autoritetet kanë arrestuar 20 persona për vepra si grabitje dhe sulm, konfirmoi drejtori i sigurisë së qytetit, Pablo Vazquez.